E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot rifillon numërimi per anetaret e asamblese socialiste

07/11/2011  Festa e Bajramit ndërpret procesin e numërimit për të zgjedhurit e Asamblesë

Kreu i PS-së, Edi Rama, ka preferuar Kavajën për të dhënë mesazhin e urimit

Komisioni i numërimit të votave pritet t’i nxjerrë ditën e sotme rezultatet e të zgjedhurve në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Për arsye të festës ky komision ka pezulluar punën, për ta rinisur ditën e sotme dhe më pas nxjerrjen e rezultati për anëtarët e këtij forumi të rëndësishëm të partisë në opozitë. Vetë kreu i PS-së, Edi Rama, ka preferuar të jetë në Kavajë dje, së bashku me bashkëshorten, për t’u uruar besimtarëve myslimanë festën e Kurban Bajramit. Numërimi pritej të niste ditën e shtunë, por për shkak se kongresi dhe votimi mbaroi shumë vonë (rreth orës 24:30), numërimi u shty.

Rama kërkon bashkim

Të shtunën votuan 1500 delegatë për 120 vende në Asamblenë socialiste. Ndër kandidaturat ra në sy dhe kthimi i një sërë emrash të distancuar nga vetë kreu Rama, siç ishte, për shembull, Anatas Angjeli, por u la jashtë listës ish-presidenti Rexhep Mejdani, një figurë e shquar e kësaj partie. Ndërsa për sa u përket deputetëve të grupit të mendimit ndryshe, ata në bazë të statutit të partisë janë automatikisht dhe anëtarë të Asamblesë, një forum vendimmarrës ky me jo pak peshë në Partinë Socialiste. Nga ana e tij Rama në fjalën e mbajtur para të pranishmëve kërkoi bashkim. “Dramat e së shkuarës brenda familjes së madhe të së majtës apo grindjet dhe hatërmbetjet e së djeshmes në gjirin e Partisë Socialiste s’mund të përbëjnë kurrsesi një arsye të mirë për të mos e marrë në dorë të gjithë bashkë të ardhmen dhe për të mos bërë atë që na takon përpara sesa Saliu ta çojë Shqipërinë në humnerën tragjike të një krize financiare. Kjo nuk është një kohë normale për Shqipërinë. Themelet e financave tona publike dhe tërë ngrehina e ekonomisë shqiptare janë në rrezik”, - tha Rama.

Kundërshtarët

Ndërkaq kundërshtarët e Ramës brenda PS-së janë shprehur se ky duhej të ishte një kongres bashkimi, por sipas tyre nuk ka ndodhur kështu. Kastriot Islami, sekretari për çështjet ligjore, në daljet e tij kritikoi ashpër sulmin që Rama i bëri ish-presidentit Mejdani. Sipas tij, kjo nuk i shërben qëllimit për ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste. I pakënaqur me zhvillimet e kongresit është shprehur dhe deputeti Arben Malaj. Në një dalje në orët e vona për “Zërin e Amerikës” ditën e shtunë Malaj tha: “E para dhe kryesorja: Partia Socialiste duhet të jetë një parti institucionale. Ne duhet ta zhdukim frikën e bojkoteve dhe ngërçeve politike nga realiteti politik shqiptar. Ky është një parakusht, duke pasur parasysh edhe vështirësitë që kemi. E dyta, ne duhet t’i japim energji pozitive Partisë Socialiste. Të heqim barrierat. Për të fituar neve na duhet më shumë liri dhe jo më pak liri; aq më pak na duhet liri e kushtëzuar nga ata që mendojnë se e kanë këtë të drejtë.”

Rama në Kavajë

Kreu i opozitës, Edi Rama, ka uruar gjithë besimtarët mysliman për festën e Kurban Bajramit. Ai ka takuar drejtues të Komunitetit Mysliman në qytetin e Kavajës, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda. Kreu i PS-së tha se ka ardhur koha që të gjithë të mësojnë nga toleranca fetare, e cila përcjell vlera, për t’u dhënë fund ndasive në shoqëri. “Të gjithë mësojmë nga toleranca fetare. Problem është ndasia pa arsye, jo njerëzore . Ne duhet t’u japim fund ndasive në shoqërinë tonë.”

Numërimi

Ndërsa të shtunën u votua për zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, gjatë ditës së sotme, duke përjashtuar festën e Bajramit, ashtu siç është parashikuar, pritet të numërohen votat, për të dalë edhe emrat që do jenë pjesë e Asamblesë. Kongresi i ditës së djeshme, i cili nisi që në orët e para të ditës së djeshme, kishte të pranishëm 1500 delegatë nga gjithë Shqipëria, të cilët hodhën votën për programin e ri politik, me titullin “Rilindja shqiptare”, si dhe ndryshimet në statutin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›