Sot shënohen 8 vjet nga Lumturimi i Nënë Terezës

Sot shënohen tetë vjet nga Lumturimi i humaniste shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza. Me siluetën e saj të brishtë, të mbështjellë me një pelerinë prej pambuku të bardhë, me shirita ngjyrë blu, Nënë Tereza, u shpall e "lumturuar" 8 vjet më parë , më 19 Tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës për "më të varfërit e të varfërve", të cilëve ajo iu kushtoi jetën.
Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore.
Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel në vitin 1979, ajo deklaroi: "Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare "për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit". Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.
Ajo ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës.
Ndërkohë 19 Tetori është shpallur festë kombëtare nga qeveria shqiptare ndërsa sot me rastin e 8 vjetorit të Lumturimit të saj pritet të organizohen një sërë aktivitetesh.