Ligji, të përndjekurit dhe ish-pronarët përjashtohen nga tatimi 10%
Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend një ndryshim ligjor për tatim mbi fitimin, duke përjashtuar nga kjo taksë ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit. Ky ndryshim ligjor kërkon që këto shtesa, në momentin e përfitimit të dëmshpërblimit, nuk do të tatohet nga kjo taksë. Kjo do të bëjë të mundur që ish-pronarët apo ish-të përndjekurit në momentin e përfitimit të dëmshpërblimit, nuk do të paguajnë këtë taksë, e cila nuk është e vogël, por 10 për qind. Brenda këtij viti do të ketë dy dëmshpërblime financiare për ish-pronarët. Një do të jepet pas pak ditësh dhe një tjetër para muajit qershor, në shumën rreth 11 milionë dollarë. Të gjithë përfituesit e mëparshëm të kompensimit financiar kanë paguar në shtet 10 për qind të shumës së përfituar për shkak të kësaj takse, por me këtë ndryshim, përfituesit e këtij viti nuk do të paguajnë 10 përqindëshin. E njëjta situatë vlen edhe për ish-të përndjekurit politikë. Pritet nga dita në ditë që të ndahen dëmshpërblime për rreth 1 mijë ish-të përndjekur në shumën 10 milionë lekë të vjetra. Në rast se ky ligj nuk do të ishte amenduar, atëherë përfituesit do të detyroheshin të paguanin 10 për qind të shumës së përfitimit në Arkën e Shtetit. Me këtë ndryshim, dëmshpërblimi do të merret i plotë, i pacenuar dhe dëmshpërblimi i parë do të jetë 10 milionë lekë të vjetra.
Ndryshimi i ligjit ka prekur edhe një pjesë të biznesit. Bëhet fjalë për kompanitë që janë me ortakë. Neni 26 i këtij ndryshimi saktëson: “Pjesëmarrjet që përjashtohen nga tatimi mbi fitimin” kanë të bëjë me faktin se ligji i mëparshëm parashikonte një diferencim në përcaktimi e fitimit të tatueshëm të një personi rezident. Për efekt tatimi dividentët dhe ndarjet e fitimit, kur ata shpërndaheshin nga shoqëritë e ortakërisë rezidente, të tatoheshin me këtë ligj, dhe kur subjekti përfitues zotëronte një paketë aksionesh jo më pak se 15 për qind, në vlerë ose në numër, të kapitalit aksioner ose të së drejtës së votës, dhe për ortakërinë jo më pak se 25 për qind të kapitalit fillestar. Ky trajtim i ligjit bënte që subjektet përfituese të dividentëve të cilat zotëronin më pak se 25 për qind të kapitalit aksioner ose të drejtës së votës, ndërsa ortakëritë më pak se 15 për qind të kapitalit, tatoheshin dy herë, në fillim me dividentin dhe pastaj për të ardhurat. Me këtë ndryshim në ligj bëhet e mundur shmangja e tatimit të dyfishtë për subjektet rezidente të cilat zotërojnë më pak se 25 për qind të aksioneve në biznesin që u shpërndahet dividenti (fitimi).