E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot tek piramida mos harroni të dhuroni edhe gjak për të ringjallur kërmën komuniste

21-07-2011 / Nga Ilirian Dahri

Ata derdhën shumë shumë lot, shumë gjak shkaktuan shumë dhimbje, shumë …Ndoshta ishte viti kur diktatori kishte vdekur ose ndoshta para vdekjes së tij, nuk mbahet mend mirë, “në ato ditët e ngjashme të diktaturës pa një të djeshme dhe pa një të nesërme”.  Dihet se ishte një ditë e diel. Ata ishin dy. Nuk ja mësuam kurrë moshën. Dukeshin të plakur por mund të ishin dhe të rinj. Një tren i jugut mund ti kishte sjellë  nga burgu i Sarandës apo ai i Ballshit. Me kokën e qethur plot pulla të kuqe dhe të verdha. Pafuqi. Mbanin njëri –tjetrin. Deri aty tek kryqëzimi. Njëra rrugë të çonte drejt Kavajës, Durrësit, tjetra drejt Lushnjes dhe jugut. Ata nuk ishin ulur, ishin pothuaj të shtrirë të dy. Dukeshin thuajse një trup. Të veshur me rroba si të spitalit por vinin prej burgut. Dhe prisnin ndoshta ndonjë makinë që t’i shpinte larg, ndoshta, po ku? Andej shkohej për në Elbasan. Por ndoshta ata nuk dinin ku të shkonin. Ata prisnin. Vogëlushët i shihnin të tronditur ata të dy që ishin një. Nuk guxonin të talleshin si ngahera. Të kërrusur me rrobat me ngjyrë mineralesh. Nuk shikonin askënd në sy.  Të frikësuar, të rrëgjuar, gjithmonë me pulla të kuqe dhe të verdha në kokën e qethur. Makinat kalonin por ata ndoshta as nuk i shikonin. Flisnin me shenja. Ashtu të pafuqishëm. Ngrinin duart e tyre. Komunikonin mes tyre ose ndoshta lëviznin krahët e tyre për të dëshmuar se gjithsesi jetonin. Gjithsesi nuk kishin arritur t’i vrisnin. Nuk dihet sesi përfunduan. Disa thonë se kryetari i komitetit i kishte hipur në një makine ribaltabël. Disa të tjerë përbetoheshin se kryetari i kishte sharë duke i thënë:  çfarë keni bërë kundra pushtetit? Ndërsa poeti i qytetit të vogël kishte ulëritur, çfarë kanë bërë, guxoni t’i thoni kështu, ju, ju kërma, çfarë i keni bërë, nuk i shihni si i keni katandisur. Këto histori thuheshin në ditët e bukura dhe të vështira të vitit 1990. Të mbledhur nga të gjitha anët në qytetin e Kavajës. Mes parrullave kundër diktaturës dhe diktatorit. Mes errësirës dhe xhamave të thyer. Mes zinxhirëve të tankeve. Mes vrasjeve dhe arrestimeve. Dhe në darkë në shtëpi. Tashmë që të gjithë ndiheshim pothuaj të lirë. U tregonim dhe na tregonim. Të ngazëllyer më në fund nga trokitja e lirisë. -Na arrestuan me preteksin e bombës në ambasadën sovietike. Na dërguan në Durrës. Na lidhën me vargonj të mëdhenj. Nga pas. Edhe duart edhe këmbët. Mes tyre hallkat e mëdha të zinxhirëve. Gjysma u pushkatua. Të tjerët në burg. Në ndërtime. Në Rinas. Në hapje kanalesh në vepra me rëndësi të veçantë për partinë në pushtet. Kaluan shumë vite dhe na liruan. Por edhe na thanë. Familja nuk është më në Tiranë. Atje, bashkëvuajtës me Liri Belishovën. Në qytetin e ideuar si Komedia Hyjnore e Dantes që na vinin të përkthenim në burg. Me parajsën, purgatorin dhe ferrin. Por nuk u qetësuan as aty. As ata as ne. Si një tellall, bërtiti i plotfuqishmi i lagjes nga ana tjetër e rrugës. -Të ka vdekur vëllai, por mos pritni vizita, përndryshe! Nuk mundesha të qaja. I thashë dhe të tjerëve të mos qanin. Mund të na ndëshkonin edhe më. Por njerëzit vinin të na pajgorisnin natën. I hapnim dritaret dhe ata hynin. Pinin kafen shpejt dhe ikin ashtu siç vinin. Trupi i vëllait tim, i babait të nënës tënde nuk erdhi kurrë. Ja pse ai nuk ka një varr. Sepse nuk kishte eshtra. Gjithsesi diçka i sollën nga hetuesia. Një kanatjere me gjak. Me gjak të mpiksur dhe me shenja cigaresh. Dhe në fshehtësi qanim dhe derdhnim lot mbi kanatjere. Kanatjere me gjak. Dhe pastaj fillonin të tjera vuajtje. Por nejse… Në ditën kur vdiq diktatori,( Ky), kishte pirë nga gëzimi. Të vegjëlve i thonin se po pi nga trishtimi. Në ditën  që rrëzuan shtatoren e diktatorit qante nga gëzimi. Tanimë ishte e vërtetë. Liria po vinte me të vërtetë. Me të vërtetë po vinte Liria. Imazhet ishin të qarta. Simboli I diktaturës vetë shtatorja e diktatorit po rrëzoheshin. Hidheni, rrëzojeni, dhe ajo u rrëzua. Shkeleni. Dhe u shkel. Tërhiqeni dhe e tërhoqën. Pshurreni. Dhe e pshurrën. Të gjithë ishin të gëzuar se simboli i diktaturës ra. U rrëzua. Edhe këta që sot mblidhen tek piramida. Edhe këta. Që kushedi pse kanë harruar burgosjen e tyre, vuajtjet e tyre, të prindërve të tyre, të kusherinjve të tyre, të bashkombasve të tyre.  Apo ndoshta nuk u gëzuan me të vërtetë. Vetë këta thonin se është varri i madh i diktatorit shpirtzi. Është simbol i diktaturës komuniste shqiptare. Më të egrës. Më gjakatare. Në shkrimet e tyre. Kur shkruanin se ndoshta termi piramidë vinte nga gjuha greke pyramis që në të vërtetë ishte treguaes i një lloj torte prej gruri ndonjë tjetër se vinte nga termi egjiptian per –em-us që siç tegonin papirët tregonte lartësinë e piramidës ose që më thjeshtë do të thoshte “diçka që shkon lart”. Por askush prej tyre. As atëherë. Nuk shkruante, se ajo pra, piramida nuk ishte gjë tjetër veçse varri i njeriut që mbolli aq dhimbje, që vrau shumë njerëz, por që nuk hapi po aq varre sa vetë njerëzit e ekzekutuar. Kanë kaluar pak më shumë se njëzet vjet. Dhe ata flasin për kosto financiare dhe trashëgimi popullore. Mblidhuni pra. Dhuroni madje edhe gjak për t’ zgjatur jetën cofëtinës komuniste. Por mos harroni vuajtjet, të varurit, (ata që fyti ju pre dhe ne me fytin e tyre ulërasim), të pushkatuarit pa gjyq, bashkombasit dhe bashkëvuajtësit tuaj ende pa  një varr.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›