Letra hipokrite dhe e vërteta e Edi Ramës

Përpjekja për të mashtruar ndërkombëtarët, me stilin marksist-leninist të letrave që njoftojnë ndryshimin e kursit politik s’fshehin dot linjën e vërtetë bolshevike që mbizotëron tek gardhi politik i Edi Ramës. Qëndrimet e vërteta të Edi Ramës këto dy ditë janë zbërthyer nëpërmjet linjës ekstremiste të Skënder Gjinushit, i cili deklaron se s’na duhet reforma zgjedhore, si dhe përmes përçartjeve të Spartak Ngjelës që s’resht së bëri thirrje për revolucione. Këto qëndrime janë një axhendë politike për Edi Ramën, ndërkohë që letra mbetet një hipokrizi për të zvogëluar disi izolimin e plotë që Brukseli po aplikon ndaj të majtës në Tiranë
Edi Rama ka filluar dje serinë e sjelljeve hipokrite të radhës me ndërkombëtarët. Seria e re e këtyre sjelljeve, e gjejnë Edi Ramën, tashmë me një status të cunguar, atë të kryetarit të PS-së (dhe të ish-kryebashkiakut të Tiranës). Statusi i ri i cunguar i Edi Ramës, gjithsesi nuk ka sjellë ndonjë të re në serinë e re të sjelljes së tij hipokrite me në raport me ndërkombëtarët.
Kjo u duk dje më së miri, me letrën e Edi Ramës, dje për ndërkombëtarët, e cila fund e krye ishte veçse një letër hipokrite.
Gjendja e Edi Ramës, në harkun kohor të dy ditëve, në pozitat e sandviçit, ku vetë përpiqet të bëjë “reformatorin” dhe nga ana tjetër Skënder Gjinushin dhe Spartak Ngjelën i ndërsen të bëjnë “antireformatorët”, më tepër se na e servir kryesocialsitin si një “të dëshiruar për të ndryshuar”, na e servir edhe një herë tjetër sikurse është, një “hipokrit i sprovuar”.
Duke qëndruar te “teoria e sandviçit”, kujtojmë se dy ditë më parë, Skënder Gjinushi, përfaqësues i linjës së vërtetë të qëndrimit të Edi Ramës, deklaronte se, “Reforma zgjedhore është vetëm mashtrim i radhës dhe s’ka asnjë efekt”.
Ndërsa, jo më larg se dje, Edi Rama (nga mesi i sandviçit) në shkallën sipërore absolute të hipokrizisë së tij, ju deklaronte ndërkombëtarëve në letrën e tij se, “opozita shqiptare do ta luajë rolin që sot i dikton sfida e Integrimit Europian të Shqipërisë me vetëdijen e urgjencës së nënvizuar prej jush lidhur me reformat esenciale që i duhen vendit në aspektin Kushtetues, Zgjedhor e Institucional, përfshirë edhe një Reformë të thellë Parlamentare”.
Se sa hipokrite tingëllonte ky “premtim” i Edi Ramës (jo për rastësi pas qëndrimit të Skënder Gjinushit), nuk u desh shumë të konfirmohej, veçse aq sa ju desh Spartak Ngjelës, përpunuesit të teorisë së “fashizmit oriental” të mblidhte ndoca gazetarë dhe me deklarimin e tij se, “ne e konceptojmë gjendjen si një errësirë institucionale, e cila brenda një gjendje të tillë arbitrare dhe agresive, duhet ndryshuar me forcën e opinionit publik”, të zhvlerësonte frymën hipokritë “reformatore” të Edi Ramës.
Në mes të Skënder Gjinushit nga njëra anë dhe Spartak Ngjelës nga ana tjetër, Edi Rama, në tentativën e tij për një letër në adresë të ndërkombëtarëve, komprometon edhe më shumë stilin hipokrit të letrës, stil ky që i tipit marksist-leninist dhe nuk lë aspak shanse që ta konsiderojmë atë realisht si një “reformator” .
Sikundër edhe Enver Hoxha, udhëheqësi i tij shpirtëror edhe vetë Edi Rama, zgjedh dhe bën të vetat edhe sajesat për ndryshim të kursit, nëpërmjet mashtrimeve politike, që natyrisht, kërcejnë kufijtë ndërkombëtarë. Ka të paktën më se një vit, saktësisht që nga darka e famshme te restorant “Crocodile”, që Edi Rama, jep e merr në tentativën e tij hipokrite, për “ti ngopur me lugë të zbrazët” ndërkombëtarët.
Këtë filloi të bëjë sërish edhe dje...