E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalaja e Dodës dhe kalaja e Shqipërisë

Ka një Shqipëri tjetër, pak e njohur, e papërfillur, e harruar, e mëvetshme, e braktisur, sa vetëqeverisëse aq edhe
vetëleqendisëse e cila gëlon nga hallet, nga mjerimi, nga sherret e mospajtimet; ajo quhet kalaja mbarëshqiptare e kryeplakut të qeverisë. Kalaja e qeverisë së Tiranës dhe Kalaja e komunës së Dodës në veri duken sikur nuk kanë lidhje, për shkak të decentralizimit, por nuk është tamam kështu. E mirënjohur gjeografikisht, Kalaja e Dodës duhet të jetë emëruar kësisoj, jo se dikush me emrin Dodë ka pas qenë arkitekt i saj, apo ngaqë pat investuar e vënë në pronësi kalanë e katundit, por se në kala të Dodës, si në të gjitha kalatë e tjera qeverisëse të Shqipërisë, ka sunduar dhe ende komandon një Dodë i pavdekshëm, i gjithëkohshëm, i gjithëpushtetshëm, absurd, misioni dhe funksioni i të cilit është si e si të prishë e të shkatërrojë gjithçka që është pronë e interes publik, që i përket komunitetit, madje edhe të rrahë kryeplakun, nëse ky nuk është “me ne” dhe për më tepër nëse merakoset për interesat e një popullsie që ndodhet jashtë gardhit, jashtë katundit…
Ndryshimi mes kryeplakut të Kalasë së Dodës dhe kryeplakut të qeverisë në Tiranë është se i dyti, po i kapërceve gardhin të vret. Ndërsa kryeplaku i Kalasë së Dodës shtrohet në spital nga plagët e marra nga votuesit e tij të hakërryer, më saktë, nga i biri i kryetarit të PD-së të Kalasë së Dodës, sepse kryeplaku i Kalasë se Dodës, Bajram Himallari, nuk paska të drejtë të japë miratim që ujësjellësi që kalon në tokat e fshatit të riparohet, e kështu të shuhet etja e banorëve të Peshkopisë. Ndërsa kryeplaku i Shqipërisë mund të vendosë, me kokën e vet, një ditë të bukur, të shesë të gjitha hidrocentralet, të falë ujërat detare, të japë me koncesion rrugët kombëtare, të bëjë ose të mos bëjë kompensime për ish-pronarët, ish të përndjekurit dhe paraplegjikët. Ngjarja në Kalanë e Dodës, kur edhe policët edhe nëpunësit e prefekturës, të pranishëm në rrahjen e kryeplakut, nuk e panë rrahjen e kryeplakut e më pas ikin “në drejtim të paditur”, provon se sa të pavarur janë kryepleqtë e kalave të Dodës, nga kryeplaku i Shqipërisë, jo vetëm për fonde, për mungesë investimesh, por më së pari për transferim sherresh, konfliktesh, mosmarrëveshjesh e grindjesh, njëlloj si në kryeqytet. Kronika e mëposhtme flet vetë: Më 20 gusht të vitit të kaluar Bajram Himallari arrestohet në Tiranë nën akuzën për “falsifikim të dokumenteve zyrtare”. Një këshilltar i komunës Kala e Dodës e kishte kallëzuar atë, se gjoja i kishte ndryshuar vendbanimin qëllimisht që ai të mos ishte pjesë e këshillit komunal. Një javë pas arrestimit në një mbledhje të Këshillit të Ministrave, vendoset shkarkimi i tij nga detyra. Himallari del nga arresti dhe e dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundi i jep atij pafajësinë. Ndërkohë, në fillim të fushatës së zgjedhjeve të 8 majit, Himallari pretendon se i ishte zënë pritë nga 5 anëtarë të shtabit elektoral të kandidatit të PD-së. Këta të fundit thanë se ai i kishte kërcënuar me armë, ndërsa Himallari tha se ata i kishin zënë rrugën”. Pas këtyre ngjarjeve, d.m.th. pas zgjedhjes së Himallarit kryeplak të Kalasë së Dodës, ky poshtërohet në sy të fshatit e të policëve dhe më pas shtrohet në spital. E pra, a është e kollajshme të jesh zgjedhur kryeplak në Kala të Dodës, e për më tepër, të jesh i partisë tjetër? Si mund të qeverisë komunën ky kryeplak, pas daljes nga spitali?
***
Gjithsesi fjala nuk është vetëm për Kalanë e Dodës në veri, aty ku u dhunua dhe u godit me grushte e pastaj edhe me gurë, në mes të katundit, në sy të zyrtarëve të qarkut e të policisë, kryeplaku, meqë ky donte të lejonte punimet për ujësjellësin që furnizon me ujë qytetin e Peshkopisë. Krahasimi i mësipërm vlen për të kuptuar se tanimë klima e Kalasë së Dodës është hapërdarë në Tiranë, jo vetëm në periferi, në kodrat e Dajtit, të Krujës apo në Bathore, po edhe në jug, në Ksamil, në plazhin e Durrësit, në Golem, në Bllok, në administratë, në zyra juridike, nëpër ministri, në qeveri, në biznes, në autostradë kur ndesh policët rrugorë apo kur bie në dorë të faturistëve të ujit apo të dritave... Mendësia e Kalasë së Dodës ka përfshirë Piramidën, ish-Pallatin e Kulturës e të Kongreseve, ashtu si para ca vitesh edhe mbikalimin e Zogut të Zi… Sipas kësaj mendësie atë që nuk e merr dot me drejtësi, me tapi e me ligj, rrëmbeje me forcë e arrogancë. Qeveria këtë e bën ose me ndonjë VKM (rruga Durrës-Kukës), ose me një vendim të Kuvendit (prishja e Piramidës), gjë që, sipas fjalëve të vetë kryeplakut të Shqipërisë, automatikisht, sipas “shtetit ligjor”, do të shmangen nesër “dënimet kolektive”… Por nëse je një vetje e afishuar si përkrahës e adhurues i kryeplakut të Shqipërisë, atë që nuk të takon, quaje se të takon, qoftë një copë pyll, tokë, lumë, burim, plazh, post, trotuar, det, ujësjellës, energji elektrike, bunker… Kjo “politikë” ka bërë të mundur që edhe pa bërë fushatë zgjedhore, kryeplaku i Shqipërisë t’i ketë të garantuara votat e të gjithë atyre që janë bërë pronarë, biznesmenë, zyrtarë, Dr. e prof., deputetë e drejtorë, policë e tatimmbledhës, të gjithë nga hiçi, paçka se kësisoj pronat, vlerat kombëtare dhe interesat publike që “janë të askujt” janë përvetësuar me padrejtësi ose, në rastin më të keq, janë shkatërruar me themel! (Ngjituni në Dajt të shihni si është djerrëzuar kurora e Tiranës, shkoni nga Liqenin artificial të shikoni se si askushët e kurrkushët po thyejnë me një zell të pashpjegueshëm edhe llampadarët! Le pastaj, po të të vijë në derë të dyqanit një togë me tatimorë të Kalasë së Dodës…)
Një gazetar i huaj më tregonte se kish intervistuar një nga këta banorë të vendosur në Bathore… -E jotja është toka ku ke ndërtuar vilën? - e pat pyetur. -Jo, por tani…e imja është!… -Po po erdhi pronari i ligjshëm ta kërkojë? -Le të provojë të vijë, unë ja… hëm! -Po andej nga ke ardhur ke pasur toka të tuat? -Po, i kam… -Por, po ta zaptoi një tjetër, ç’do të bësh? –Eh, edhe atë, nëse nuk ikën me të mirë, do ta vras!... E pra, a ka normë morale, ligjore apo edhe kanunore që e shpjegon dot këtë mendësi të instaluar tashmë në të gjitha komunat, institucionet, apo kalatë e Shqipërisë?
***
E pra, qyteti ku ne nuk banojmë le të mbetet pa ujë, trotuaret dhe sheshet le mbyten nga plehrat, madje edhe të zaptohen nga kioskaxhinjtë, shtyllat le të hidhen në erë, pusetat le të vidhen, ujët e burimeve le të derdhet kot, mjaft që ti o njeri i Kalasë së Dodës të ndjehesh zot i ujit të katundit, e ai tjetri, “armiku” yt i panjohur i qytetit të vuajë, të mos jetë më mirë se ti!… Ti nuk e kupton dot që po të veprojnë si ty edhe qytetarët e Peshkopisë nuk duhet të lejojnë që nesër të kurohesh në spitalin e qytetit, që gruaja jote të pjellë në maternitet, që fëmijët t’i dërgosh në gjimnaz, që të marrësh një certifikatë pronësie në hipotekë, madje të mos kesh as dritë elektrike, meqë drita prodhohet nga hidrocentralet, të cilat nuk punojnë me ujin e burimeve tuaja. Ky nuk është primitivizëm, kjo është mendësi e Kalasë së Dodës, e kultivuar nga kryeplaku i Tiranës, sipas të cilit nuk duhet lejuar ndërtimi dhe riparimi i ujësjellësit për qytetin që nuk është “me ne”, madje duhen rrahur e poshtëruar ai/ata që kombin e shohin si një tërësi, të pa ndarë në qytetarë e katundarë, në veriorë e jugorë, në myslimanë e të krishterë, në të kuq e në blu, d.m.th. të përçarë në “ne” e në “ata”…!
Kjo “politikë” gjithëpërfshirëse, meqë shteti ka pranuar të mos jetë garant i interesave publike, i unitetit të popullit, por i partisë në pushtet, madje i kryeplakut të Shqipërisë, ka bërë të mundur që edhe një oficer policie, i antikrimit, i lindur dhe i rritur në Tiranë, i pajisur edhe me diplomë juristi, në vend që të zbulonte trafikantët e prostitucionit, e ushtronte vetë punën e tutorit me minorene, pikërisht në hotelet e Golemit… Kjo mendësi ka bërë që jo vetëm KQZ-ja, por edhe Kolegji Zgjedhor, të shpallin kryeplak të Tiranës jo atë që zgjedh populli, por atë që do me shpirt kryeplaku i Shqipërisë! Ja përse nuk pranohet të ndreqen arnimet e Kushtetutës, që kryeplaku aktual i Tiranës të jetë e të mbetet kryeplak de facto i të gjitha qyteteve, katundeve dhe institucioneve të Shqipërisë !

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›