Sot vjen Westerwelle

Pas qëndrimit në Serbi, sot ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, do ta vizitojë Republikën e Kosovës. Gjatë qëndrimit në Prishtinë do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministrin e Punëve të Jashtme (MPJ), Enver Hoxhaj.
Vizita e kryediplomatit gjerman nga analistët politikë është vlerësuar në funksion të presionit ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
Analisti politik Behxhet Shala ka thënë se vizita e ministrit Westerwele ka të bëjë ekskluzivisht me Serbinë, por për shkak të korrektësisë ai do ta vizitojë edhe Kosovën.
“Vizita e Guido Westerwelle është e dedikuar për t’ia kujtuar Serbisë se marrëveshja e arritur me Kosovën duhet të zbatohet. Kjo vizitë është një lloj kërcënimi i butë për Serbinë. Edhe në Kosovë vjen për të njëjtën arsye, por nuk ka nevojë të na kërcënojë për marrëveshje, sepse ne pranojmë çdo gjë që na ofrojnë ndërkombëtarët! Po ashtu, Westerwelle vjen në Kosovë për shkak të korrektësisë, pasi ai do të qëndrojë në Beograd. Pra, kjo vizitë ka të bëjë ekskluzivisht me Beogradin”, ka thënë Shala “Epokën e re”.
Po ashtu, Shala ka deklaruar se Westerwelle gjatë qëndrimit në Beograd do t’ia rikujtojë Serbisë kushtet që duhet t’i plotësojë për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian (BE). “Ministri Westerwelle do t’ia rikujtojë kushtet Serbisë të cilat i ka thënë edhe Angela Merkel. Sipas të gjitha gjasave, Serbia do ta marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Në këtë drejtim, bashkësia ndërkombëtare e ka ndihmuar shumë. Serbia më së paku ka punuar për vete dhe më së shumti ka fituar në këtë rast”, është shprehur Shala, duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht është duke iu vardisur Serbisë.
“Më shumë bashkësia ndërkombëtare është duke iu vardisur Serbisë, edhe pse do të duhej të ndodhte e kundërta. Serbia do ta zbatojë marrëveshjen. Por, shtrohet pyetja, si? Ajo nuk ngutet. Serbia do t’i gjejë 100 rrugë për ta sabotuar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. Beogradi do të fillojë ta zbatojë marrëveshjen veç sa për ta marrë datën për negociata në BE, sa për ta ruajtur rehatinë në Serbi dhe veri”, ka thënë Shala.
Arifaj: Vizita e Westerwelles më shumë e dedikuar për Serbinë
Edhe analisti tjetër Ardian Arifaj ka vlerësuar se vizita e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle, më shumë është e dedikuar për Serbinë sesa për Kosovën. Arifaj ka thënë për “Epokën e re” se vizita e Westerweles do të ketë ndikim vetëm në Serbi. “Sikur problemi i moszbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve të ishte në Kosovë, atëherë vizita e Westerweles do të kishte ndikim në këtë drejtim. Por, problemi nuk është Prishtina, por Beogradi. Atje është problemi kryesor. Nuk e di për çfarë arsye Westerwelle vjen në Kosovë”, ka deklaruar Arifaj.
Në këtë kontekst, Arifaj ka thënë se Westerwelle ka për shumëçka të bisedojë edhe në Kosovë. “Nëse flet për tema të tjera, jo veç për dialog, ai mund të japë mesazhe të tjera. Në këtë drejtim ne i kemi disa pikëpyetje të mëdha me Brukselin siç janë: Marrëveshja për Stabilizim-Asociim (MSA), liberalizimi i vizave dhe çështja e pesë vendeve të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Deri më tani Gjermania ka qenë shteti më parimor në raport me Kosovën. Ky shtet asnjëherë nuk ka ndryshuar qëndrimin karshi kushteve të cilat ia ka vënë Serbisë për marrjen e datës për fillimin e negociatave për BE”, ka thënë Arifaj, duke shtuar se është shteti kryesor i cili mund të ketë ndikim në zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit në mes të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.
“Nëse Serbisë i jepet data pa fillimin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, atëherë Prishtina s’ka çka pret mirë në këtë drejtim, konkretisht në veri. Gjermania është shteti i vetëm i cili mund të na ndihmojë në këtë pikë. Shpresoj që BE-ja dhe Gjermania do ta vlerësojnë konstruktivitetin e Kosovës në dialog në mënyrë që t’i hapet rruga evropiane”, është shprehur Arifaj./Indeksonline/