E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoba me “Facebook”, gjykata liron 5 autorët

Gjykata e Krimeve të Rënda ka liruar pesë djemtë e akuzuar se i kishin vendosur 80 mijë euro gjobë një biznesmeni, nëpërmjet facebook-ut. Ded Shkëmbi, Denato Nikolli, Grelindo Garuci, Ernaldo Koleci dhe Flavio Gjoni janë lënë në detyrim paraqitje, pas arrestimit të bujshëm nga policia e Shkodrës. Në momentin e arrestimit të tyre, policia e Shkodrës njoftoi se të rinjtë i vendosën gjobë një biznesmeni, por në momentin e marrjes së parave ranë në prangat e policisë. Operacioni policor i koduar "Ëndrra për milioner" vuri në pranga 5 të rinjtë, katër prej të cilëve të mitur, me akuzën e "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie" dhe "armëmbajtje pa leje". Mosha e tyre e mitur duket se ka qenë dhe një ndër faktorët që ka ndikuar në këtë masë sigurie. Sipas njoftimit të policisë, 16-vjeçari Grelindo Garuci i dërgoi një mesazh në "facebook" një biznesmeni në afërsi të kalasë "Rozafa", duke i kërkuar 80 000 euro, në të kundërt do të dëmtohej fizikisht ai dhe familja e tij. Më pas, ai mori në telefon edhe bashkëshorten e biznesmenit, duke e kërcënuar. Një gjë e tillë bëri që ky i fundit t'i drejtohet policisë, e cila në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Policinë e Shtetit kryen operacionin dhe bllokuan paratë e regjistruara më parë nga këto organe dhe që dërgohen nga biznesmeni në vendin e caktuar nga gjobëvënësit. Në momentin kur njëri prej të miturve shkoi me një motoçikletë për të marrë paratë, pranë një kazani për grumbullim mbeturinash, ai u kap nga policia. Më pas u ndaluan dhe katër personat e tjerë që dyshohen se janë bashkëpunëtorë, tre prej të cilëve të mitur. Adoleshenti Grelindo Garuci, që u kap ndërsa merrte paratë e gjobës, rrëfeu me hollësi gjithë ngjarjen e ndodhur. Në cilësinë e provës materiale u gjetën e sekuestruan gjashtë telefona celularë të markave të ndryshme, 1 motoçikletë tip "Piaxho", 1 armë zjarri pistoletë tip "Zastava", një sasi fishekësh, si dhe një maskë. H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›