Sot zhvillohet ceremonia e Lumturimit të Papës Gjon Pali II
Sot zhvillohet ceremonia e shenjtë e Lumturimit të Papës Gjon Pali II, e cila do të mbahet në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Romë.
Në meshën solemne, që pritet të zhvillohet me këtë rast, do të jenë të pranishëm mjaft personalitete të larta të Papatit të Vatikanit, drejtues e përfaqësues të lartë të shtetit italian, kryetarë shtetesh të vendeve evropiane e botërore, dhjetëra e mijëra pelegrinë, besimtarë e bashkëatdhetarë polakë, e qytetarë të tjerë nga mbarë bota.
Në ceremoni do të marrin pjesë edhe presidenti shqiptar Bamir Topi së bashku me zonjën e tij Teuta Topi, kryeministri Sali Berisha si dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ministri i jashtëm kosovar Enver Hoxhaj ndërkohë që kjo është vizita e parë shtetërore nga institucionet e Kosovës bërë Vatikanit, pas shpalljes së Pavarësisë
Kisha Katolike e Vatikanit do të zhvillojë ceremoninë e Lumturimit të Papës Gjon Pali II, nëpërmjet meshës madhështore që do të drejtohet Papa Benedikti i XVI. Ky lumturim vjen pasi Selia e Shenjtë vërtetoi se Papa Gjon Pali ka kryer të paktën një mrekulli. Me dekretin e miratuar nga Papa Benedikti XVI, procesi i Lumturimit apo shpallja e Papës Gjon Pali II “i bekuar” shënoi një hap vendimtar drejt shenjtërimit të tij.
Lumturimi i Gjon Palit II është një ndihmë për Kishën Katolike dhe duke përfituar nga popullariteti i tij i jashtëzakonshëm autoritetet kishtare shpresojnë në një rishprehje të një mesazhi pa kompromis që i drejtohet botës së sotme moderne, e cila shpesh herë nuk i kushton vëmendje institucionit të besimit.
Kisha është e vetëdijshme se Gjon Pali II kishte një fat të jashtëzakonshëm që ka magjepsur edhe përtej qarqeve të krishtera.
Vdekja e tij në vitin 2005 e privoi kishën nga një zë unik në botë.
Megjithëse pasardhësi i tij Benedikti XVI është tepër i respektuar dhe po përfiton nga një efekt mbarëbotëror që kishte Gjon Pali II, ai nuk ka karizmin e tij.