E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sotiri 2009 vjen në edicionin e dytë të tij

Konkursi Ndërkombëtar për Fotografë të rinj Sotiri 2009 do të çelë këtë vit siparin e tij, në datat 23 dhe 24 maj. Në edicionin e dytë, të tij këtë vit ai vjen i realizuar si një bashkëpunim mes Qendrës Kulturore Lindart dhe Anima, Projekt 5.6 dhe Bashkisë së Korçës. Kështu të shtunën, në 23 maj, do të organizohet aktiviteti nën emrin Një  prekje dhune, me kurator Harri Palviranta, i cili realizohet në galerinë Guri Madhi, Qendra Kulturore Vangjush Mio, në Korçë. Ndërkohë që, paraditen e së dielës, do të organizohet një panel diskutimi me temën Korça në imazhe, e cila vjen në kuadrin e çmimit ndërkombëtar për fotografë të rinj Sotiri, ku do të flasin për publikun, Natasha Lako, Maks Velo, Ben Blushi. Pasdite do të bëhet një prezantim në publik i artistëve Stratos Kalafatis, Greqi; Harry Pälviranta, Finlandë; Ivan Blazhev, Maqedoni. Edicioni i pare i konkursit  për fotografë të rinj Sotiri hapi dyert në Korçë me 15 maj  2008. Galeria Guri Madhi në qendër të qytetit, një hapësirë shumë interesante, e cila ka mirëpritur për vite me radhë ekspozita tradicionale pikturë, këtë herë ka pritur një koncept bashkëkohor ekspozimi: 60 fotografi të 19 autorëve të rinj nga: Austria, Belgjika, Greqia, Holanda, Sinagapori, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Finlanda, Kosova, Gjeorgjia dhe Shqipëria veshën konceptin kuratorial Save this / Ruaje këtë, i cili ftonte për një bashkëbisedim mes fakteve dhe historisë, për të sjellë perceptime të artistëve mbi atë që ndodh në qendër dhe periferi të vëmendjes njerëzore. Kjo ngjarje solli bashkë ndjeshmëri të dokumentuara në foto, që tregonin për të vërtetat e artistëve nëpërmjet  gjuhës personale të secilit. Kjo sipërmarrje e Qendrës Kulturore Lindart zbriti në Korçë për të nderuar emrin e Kristaq Sotirit, fotografit të traditës, për krijimtarinë e të cilit mbesa e tij kishte përgatitur një material të ilustruar për panelin e organizuar në datën 16 maj në muzeun privat të Artit Oriental, që mban emrin e një fotografi tjetër: Dhimitër Mborja, ose si njihet: Bratko. Ekspozita ndërkombëtare e fotografëve të rinj, që jep një çmim me emrin e Sotirit, u cilësua si një ekspozitë arti bashkëkohor dhe ngjalli shumë interes të publiku artdashës i Korçës. Në vazhdën e promovimit të vlerave të trashëgimisë dhe traditës, Bashkia Korçë dhe veçanërisht kryetari i saj Niko Peleshi mikpritën dhe mbështetën me dashamirësi këtë veprimtari të rinjsh, të organizuar nga të rinj. Aktiviteti u mbështet edhe nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve, nga KulturKontakt Austria dhe nga SCP.

Last Updated on Wednesday, 20 May 2009 14:10

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›