E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gogoli në jubileun e tij

20/05/2009  Një aktivitet përkujtimor në nderim të 200-vjetorit të shkrimtarit më të famshëm rus me origjinë ukrainase Nikolai Gogol u organizua të hënën në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë nga departamenti i gjuhëve sllave. Ambasadori rus në Tiranë Alexander L. Prishchepov, i ftuar në këtë takim, e konsideroi Gogolin një nga të njohurit e të madhit Aleksandër Pushkin, gurin e themelit të letërsisë ruse të shekullit të 19-të.

“Pa Pushkinin letërsia ruse nuk do të ekzistonte, por pa Gogolin ajo nuk do të mund të vazhdonte rrugën e saj”, - tha Prishchepov para një audience të madhe studentësh dhe profesorësh të departamentit të gjuhëve sllave.

Më tej ai nënvizoi se letërsia ruse fitoi ngjyrë dhe shumë elemente të reja në saje të veprës së Gogolit.

“Humori i Gogolit ishte nga më të jashtëzakonshmit. Duke përdorur humorin e tij, Gogol i përshkroi rusët si askush tjetër. Vepra e tij “Mervye Dushi” (“Shpirtra të vdekura”) mbetet kryevepra e tij”, - tha ambasadori.

Sipas tij, Gogoli pati një influencë të madhe mbi Franc Kafkën Xhan-Pol Sartrin dhe mbi autorë të tjerë ekzistencialistë. Duke ndjekur një traditë të admirueshme, ambasadori Prishchepov i dhuroi departamentit të gjuhëve sllave disa libra nga Gogoli, midis të cilëve një edicion të veçantë të “Shpirtrave të vdekura.” Profesorë të departamentit paraqitën çaste më kyçe të veprës dhe jetës së Gogolit. Kurse ish-profesori i gjuhës ruse dhe një nga përkthyesit kryesorë të letërsisë ruse, prof. Jorgji Doksani, nënvizoi optikën kryesorë të Gogolit dhe ia rekomandoi atë brezit të ri: “Evolucioni i shoqërisë nëpërmjet pastrimit të shpirtrave të njerëzve”. Gogoli (1809-1852) shkroi tregime dhe drama në gjuhën ruse. Ai u ndikua nga vëzhgimet e imtësishme të shoqërisë dhe nga trashëgimia e tij. UNESCO-ja e ka shpallur 2009-n vitin e Gogolit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›