Tingujt e Mesdheut, në tablo pikture
Në Art Galeri Kledio në kryeqytet piktori Stefan Taçi ka hapur ekspozitën e tij të radhës e titulluar Bisedë me tingujt e Mesdheut. Ekspozita e cila u hap në datën 11 maj do të qëndrojë në mjediset e kësaj galerie deri në 21 maj. Vetë piktori, mbi frymëzimin e tij gjatë kohës së krijimit të veprave që janë pjesë e këtij cikli shprehet se: Mesdheu është thellë brenda meje, edhe kur mundohem ta harroj pak, ai ngre krye.
Ky vend me emrin aq kuptimplotë, Mesi i Dheut, është jo vetëm djepi i mesdhetarëve, por besoj e guxoj të them edhe i mbarë civilizimit botëror. Dikush tjetër mund të ketë mendim të kundërt, por te mos ndalemi këtu, nuk është ky qëllimi i ekspozitës. Ka qenë pasioni im i hershëm, biseda me dritën, ajrin e jehonat e së shkuarës e të së tashmes që vinë nga Mesdheu. Jam munduar t'i kuptoj e t'i bëj pjesë të krijimtarisë sime, ku, kohë pas kohe janë reflektuar perceptime vizuale të cilat, ose ndërtohen mbi asosacionet e fuqishme që ofron kultura e Mesdheut, ose janë rrjedhojë e meditimeve të gjata e kontaktit real me të. Ndoshta më shumë se sa në konkretësinë e saktësinë e subjekteve, kam preferuar të mbështetem në strukturat shpirtërore me bazë tingëllimin koloristik e kompozimin polisemik, pa harruar rrezikun nga grackat e monotonisë. Me Poseidonin folëm edhe për çështje të tjera. E pyeta për krizën ekonomike botërore, për makutërinë e pafund për pushtet e pasuri, për ngrohjen globale, për mundësinë e jetës gjetkë në hapësirën kozmike, për lumturinë boshe të konsumizmit, për liritë e të drejtat njerëzore gjithmonë të rrezikuara, për rolin e artit e kush janë fuqitë e tij reale. Në pritje të përgjigjes vura re se isha vetëm, ulur diku në një kafe të Tiranës. Ishte pasdite me shi, por jo për faj të Poseidonit. Ndoshta e tërë kjo bisedë ishte një iluzion...