Reforma zgjedhore, të vegjlit bashkohen për ndryshimet në kod
Vetëm nëntë muaj para zgjedhjeve lokale, interesi politik për reformën zgjedhore është formalizuar me një tryezë konkrete. 12 shoqata, si dhe përfaqësues të partive të të gjithë spektrit politik, janë mbledhur më 27 korrik për të diskutuar problemet kryesore të përmirësimeve në Kodin e ri Zgjedhor. Aleatët e vegjël të Partisë Socialiste, por edhe parti të spektrit të djathtë, sikurse edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, janë kështu forcat e para dhe ndoshta më të interesuara për të vënë në lëvizje mekanizmin parlamentar për ndryshimin në kodin ekzistues, i cili përkundrejt shpresave të para për një ndërhyrje thelbësore, duket se do të mbetet në fuqi, pavarësisht ndonjë arnimi sipërfaqësor. Sinjalin për këtë gjë e ka dhënë përfaqësuesi i demokratëve në këtë tryezë, deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili në fjalën e mbajtur me këtë rast, ka nënvizuar integritetin dhe cilësinë e ligjit në fuqi. “Besojmë të gjithë se Kodi Zgjedhor aktual si teksti bazë zgjedhor, është i një cilësie të mirë. Ajo që ka sjellë probleme është besimi, besimi te ky mekanizëm administrativ dhe ligjor”, u shpreh ai. Konsiderata e shprehur lidhur me përmbajtjen e Kodit të tanishëm, u vendos pritë kërkesave të zgjeruara të partive të vogla, të cilat si synim kryesor kanë ndryshimin e sistemit elektoral. Për këtë të fundit, duket se është folur shumë pak edhe në tryezën e djeshme, e cila është përqendruar në trajtimin e problemeve të administrimit, si dhe rreth sugjerimeve që lidhen me rekomandimet e OSBE-ODIHR për procesin e diskutuar të 28 qershorit 2009. Por edhe në këtë drejtim, propozimet e hedhura kanë afirmuar origjinalitetin e vet, por edhe përvojën e vështirë të 2009-s. Kështu, aleati i Partisë Demokratike në qeveri, Nikollë Lesi, ka hedhur idenë e shtrëngimeve të forta dhe penalizimeve ekstreme për komisionerët që konsumojnë shkelje të Kodit Zgjedhor. “Dhjetë vjet burg, komisioneri nëse rezulton qoftë edhe një votë e vjedhur nga hapja e kutisë”, ka propozuar Lesi me këtë rast. Ndërkohë, me interes ka qenë edhe qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila, përmes kreut të saj, Ilir Meta, ka shprehur si gatishmërinë për të ndërhyrë në Kod, ashtu edhe pozicionin komod me kuadrin ligjor në fuqi. “Me kodin aktual që është në fuqi, LSI-ja është absolutisht e kënaqur, pasi administrimi është një çështje e zgjidhur për të, por ne asnjëherë nuk kemi menduar dhe nuk kemi parë në një plan të ngushtë apo thjesht interesat e LSI-së për momentin”, u shpreh Meta. Pikëpamja opozitare për reformën zgjedhore është artikuluar me të njëjtën formë si deri më tani nga kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i cili ka nënvizuar se puna për këtë proces duhet të shkojë paralel me atë për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në një diskutim të hapur me ish-ministrin e Drejtësisë Alibeaj, i cili ka deklaruar se “PD-ja ia ka lënë opozitës propozimin e projektligjit për Kodin Zgjedhor”, kreu i PDS-së ka kërkuar marrjen e iniciativës edhe nga partia në pushtet, që pasivitetin në këtë drejtim po e mbulon me alibinë e respektit ndaj Partisë Socialiste.
#