E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Dënime të ashpra për korrupsionin

24/02/2010 Nënkryetari i KLD-së merr pjesë në analizën njëvjeçare të gjykatave të veriut

Problematikë tjetër ishte kthimi i vendimeve dhe ndjekja e politikës së ashpër penale

SHKODËR- Kthimet e vendimeve dhe shtimi i ashpërsisë në politikën penale për krimet ishin disa prej problematikave të përmendura në analizën vjetore të sistemit të drejtësisë në veri të vendit. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka marrë pjesë dje në analizën e përbashkët njëvjeçare të 6 gjykatave të veriut të vendit, përfshirë dhe gjykatën e Apelit të Shkodrës. Në këtë analizë, që kishte si qëllim ballafaqimin e problemeve duke filluar që nga masat e sigurisë dhe kthimet e vendimeve, Spahiu kërkoi nga gjykatësit një vlerësim më objektiv në dhënien e masave të sigurisë, ku vihet re se ka dominim masa “arrest me burg”. Spahiu kërkoi gjithashtu nga gjykatësit e veriut që të japin dënime më të ashpra në çështjet e korrupsionit, ndërkohë që duhej të ndiqej një politikë e ashpër penale për krimet. Një pikë e veçantë ku u ndal nënkryetari i KLD-së Spahiu ishte dhe shkelja e të drejtave të palëve në gjykim, ku gjyqtarët duhet të kishin shumë kujdes. Problem më vete në këtë analizë ishin dhe infrastruktura e gjykatave që kishte vështirësuar punën për shkak të shkurtimit të buxheteve. Nga ana tjetër Spahiu kërkoi nga gjykatësit e gjykatave të veriut që të mos krijonin kosto me anë të zvarritjes së proceseve civile, administrative dhe penale për shkak të të tretëve përfshi këtu dhe institucionet shtetërore. Spahiu u shpreh që gjykatësit duhet të vendosin gjoba të kripura ndaj titullarëve të institucioneve që bëjnë shkelje administrative. Njëkohësisht nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka kërkuar nga gjyqtarët e gjykatave të veriut që të kenë një angazhim maksimal për përmbushjen e detyrimeve të Bashkimit Evropian në lidhje me sistemin gjyqësor në vend. “Jemi pjesë e zinxhirit integrues të Shqipërisë në strukturat evropiane, ndaj dhe duhet të luajmë rol konstruktiv në përmbushjen e reformave”, theksoi nënkryetari i KLD-së Spahiu. Zonat e veriut karakterizohen nga krime me natyra të ndryshme, ku kryeson vepra penale e vrasjes dhe më tej vijohet me trafik droge apo qeniesh njerëzore. Mjafton të kujtohen viktimat e disa tragjedive në det, ku të mbyturit kanë qenë nga zonat e veriut dhe atje mundësohej edhe grumbullimi dhe nisja e tyre për jashtë shtetit, teksa organizatorët u kapën dhe u dënuan.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›