Spahiu: Shkarkimi im, aleancë e PD-së me Athinën e Dulen
Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, është shprehur sot se nisma e kryeministrit për shkarkimin e tij nga KLD-ja nuk është gjë tjetër veçse një aleancë me Athinën e Vangjel Dulen e PBDNJ-së.
Vota për shkarkimin tim nxori në pah aleancën e PD me Vangjel Dulen, një aleancë nën ngjyrat bardh e blu të flamurit grek dhe që po e detyrojnë kryeministrin Berisha të japë provën e radhës ndaj Greqisë. Ata mund ti bashkojnë votat, por nuk mund të përçajnë kurrë dot shqiptarët, tha Spahiu.
Spahiu e bëri këtë deklaratë gjatë një aktiviteti të Aleancës Kuqezi, e cila kishte për qëllim prezantimin e kontratës kuqezi.
Kreu i AK u shpreh se kjo lëvizje bazohet në dy gurë themeli: demokracia dhe kombi.
Për Aleancën Kuq e Zi demokracia dhe kombi, dinjiteti njerëzor dhe identiteti kombëtar, bashkimi i shqipëtarëve dhe evropianizimi janë të pandashme. Makineria e ndryshkur e politikës shqiptare dhe lidershipi i krokodilit nuk mund të sfidojnë Aleancën Kuq e Zi, e cila qëndron mes Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, at Fishtës e Fan Nolit, Luigj Gurakuqit e Hasan Prishtinës, Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit si një urë mes brezash që u flijuan për liri dhe komb, tha Spahiu.