Spahiu apel nga Spitali i Durrësit: Të shmangen aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës publike

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu vizitoi sot në spitalin Rajonal të Durrësit nëndrejtorin e Policisë së Durrësit dhe pesë efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët mbetën të plagosur gjatë protestës së zhvilluar në qytet. Sipas saj, ata janë të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
Ajo shprehu sot mirënjohjen për mjekët, infermierët, ekipet e urgjencës dhe të gjithë punonjësit shëndetësorë që po përballojnë situatën e krijuar nga personat e lënduar gjatë protestës.
Spahiu vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e personelit shëndetësor, duke theksuar se ata kanë qenë në gatishmëri për të ofruar kujdesin e nevojshëm për të lënduarit.
“Nga Spitali Rajonal i Durrësit, dua të shpreh mirënjohjen dhe mbështetjen time të plotë për të gjithë mjekët, infermierët, ekipet e urgjencës dhe çdo punonjës shëndetësor në të gjithë Shqipërinë, të cilët po përballojnë me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi situatën e krijuar nga personat e lënduar gjatë protestës. Në çdo moment, ata kanë qenë në gatishmëri për të ofruar kujdesin e nevojshëm shëndetësor, duke dëshmuar edhe një herë se detyra e tyre është mbi çdo rrethanë”, tha ajo.
Ministrja garantoi se punonjësit shëndetësorë do të kenë mbështetjen e nevojshme për të vijuar misionin e tyre në shërbim të qytetarëve.
Njëkohësisht, ajo iu drejtua qytetarëve të Durrësit me një apel për qetësi dhe përgjegjësi, duke u kërkuar të shmangin aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike.
“Durrësi është qyteti i të gjithëve dhe askush nuk duhet të kontribuojë në shkatërrimin e tij. Dëmtimi i hapësirave publike dhe i pronës nuk zgjidh asnjë problem; përkundrazi, dëmton vetë qytetarët, familjet dhe komunitetin”, u shpreh Spahiu.
Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve, duke kërkuar që ata të mos përfshihen në situata dhune dhe përplasjeje.
“Fëmijët kanë nevojë për siguri, për mbrojtje dhe për shembullin tonë të mirë. Ata nuk duhet të ekspozohen ndaj rrezikut dhe as të bëhen pjesë e situatave që mund të cenojnë shëndetin dhe të ardhmen e tyre”, deklaroi ajo.
Në përfundim, Spahiu nënvizoi se e drejta për t’u shprehur është e rëndësishme, por po aq e rëndësishme është të ruajmë jetën, sigurinë dhe qytetin ku jetojmë.
/m.q/r.e/