Gogu: Ata që shkatërrojnë dhe djegin nuk përfaqësojnë studentët

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu publikoi sot pamje nga dëmtimi i zyrës së Qendrës së Shërbimit të Ndihmës Juridike Falas në ambientet e Ministrisë dhe thekson kontributin e studentëve të Drejtësisë, brenda ambienteve të Ministrisë së Drejtësisë.
Në reagimin e tij, Gogu theksoi se “ata që shkatërrojnë dhe djegin nuk përfaqësojnë studentët”.
Sipas Gogut, mbi 800 studentë janë trajnuar në kuadër të këtij shërbimi, ndërsa 373 prej tyre kanë kontribuar përmes praktikave tremujore. Vetëm gjatë këtij viti, sipas tij, janë angazhuar 80 studentë të drejtësisë, ndërsa 12 studentë ekselentë janë punësuar pranë shërbimit.
Ministri ka theksuar gjithashtu se të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë më shumë, duke nënvizuar se institucioni mbetet i hapur për dialog.
“Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë më shumë. Dera jonë mbetet e hapur për ta, edhe kur nuk bien dakord me ne”, përfundon Gogu në reagimin e tij.
/m.q/r.e/