E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë kërkesat e hedhura poshtë të Prokurorisë së Përgjithshme

Gjykatë

Prokuroria e Përgjithshme është rrëzuar disa herë nga Gjykata e Tiranës, duke hedhur poshtë çdo kërkesë të parashtruar lidhur me çështjen e rrugës Durrës-Kukës. Dhe, pas kësaj gjykate, dje do rrëzohej sërish për të pestën herë nga Gjykata e Apelit. Këto kërkesa janë konsideruar nga gjyqtarët që i kanë shqyrtuar, si të pabaza. Përballja e parë ishte ajo e shqyrtimit të kërkesës së Armand Telitit e Andi Tomës, të cilët kundërshtonin një kërkesë të prokurorit Arben Kraja për shtyrje edhe një muaj të hetimit për çështjen në ngarkim të tyre. Kjo kërkesë, për të cilën nga prokurori u kërkua shpallje moskompetence, u pranua nga gjyqtari Tona, i cili vendosi ndërprerjen e hetimeve të mëtejshme dhe rrëzimin e kërkesës së përfaqësuesit të akuzës për shpallje të moskompetencës për shqyrtimin e kësaj kërkese. Përballja e dytë do të ishte ajo mes avokatit Zef Nikaj që përfaqësonte ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, dhe prokurorit Kraja, për kërkesëpadinë kur kërkohej shpallja e pavlefshmërisë për dy akte procedurale. Kërkesa i ra në short gjyqtares Fatmira Hajdari, e cila pranoi gjykimin e kësaj kërkese, pavarësisht kërkesës së prokurorit për shpallje të moskompetencës për shqyrtimin e kësaj kërkese, e cila sipas tij, i takonte Gjykatës së Lartë për t’u shqyrtuar. Kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtarja Hajdari, e cila vendosi ta gjykonte kërkesën e Bashës. Pikërisht në këtë moment prokurori kërkoi përjashtimin e gjyqtares Hajdari si e njëanshme, duke depozituar një kërkesë, e cila u shqyrtua dje nga gjyqtari Altin Abdiu. Vendimi i disa ditëve më parë rrëzoi për të tretën herë Prokurorinë e Përgjithshme, e cila e konsideroi si të pabazuar në ligj kërkesën e përfaqësuesit të akuzës, që pretendonte se gjyqtarja Hajdari ishte e njëanshme. Me vendimin e dhënë dy javë më parë nga gjyqtarja Hajdari, gjykata e ka rrëzuar sërish Prokurorinë e Përgjithshme, duke ia shfuqizuar veprimet procedurale të kryera pas vendimit të dhënë nga gjyqtari Sokol Tona. Dhe, pas këtyre rrëzimeve të vazhdueshme, ishte vendimi i djeshëm i dhënë nga Gjykata e Apelit që rrëzoi për të pestën herë organin qendror të akuzës dhe lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga gjyqtari Tona.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›