Spahiu në Kurbin: Forcojmë koordinimin mes kujdesit parësor dhe shërbimit spitalor

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, vizitoi sot Qendrën Shëndetësore Laç, bashkia e Kurbinit, ku theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes kujdesit shëndetësor parësor dhe atij spitalor, me synim ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe më pranë qytetarëve.
Gjatë vizitës, Spahiu u shpreh se përmirësimi i koordinimit mes strukturave shëndetësore do të mundësojë një referim më të mirë të pacientëve.
“Duhet të forcojmë koordinimin mes kujdesit parësor dhe atij spitalor, që qytetarët e Kurbinit të marrin shërbimin shëndetësor që u nevojitet më shpejt dhe më pranë vendbanimit”, tha Spahiu.
Ajo nënvizoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë mes strukturave shëndetësore, duke e cilësuar këtë si një element të rëndësishëm për përmirësimin e procesit të referimit dhe ndjekjes së pacientëve.
“Referim më i mirë i pacientëve, komunikim i drejtpërdrejtë mes strukturave dhe vijimësi e kujdesit, nga mjeku i familjes te shërbimi i specializuar”, u shpreh ministrja.
Vizita në Kurbin u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet niveleve të ndryshme të kujdesit shëndetësor dhe në përmirësimin e aksesit të qytetarëve në shërbimet që u nevojiten.
Gjatë dekadës së fundit, qeveria ka bërë investime të konsiderueshme në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, trajnimin e stafit, zgjerimin e skemës së sigurimit shëndetësor, përmirësimin e shërbimeve të specializuara dhe rritjen e pagave.
/k.s/a.f/r.e/