Spanja “mban peng” rezolutën për Kosovën

Prishtinë, 7 gusht - Bashkimi Evropian (BE) ka përcaktuar 9 shtatorin si afatin e fundit për të siguruar pajtimin e të gjitha 27 shteteve anëtare lidhur me propozim-rezolutën për Kosovën të iniciuar nga kryediplomatja Catherine Ashton, e cila do t’i dorëzohej më pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Burime diplomatike perëndimore i kanë konfirmuar gazetës Zëri që në ditët dhe javët në vazhdim pritet që Brukseli të marrë përgjigjet definitive nga të gjitha shtetet që e përbëjnë BE-në, të cilat po qe se do të jenë afirmative ndaj propozim-rezolutës për Kosovën, do të mundësonin që Unioni të dalë me qëndrim të përbashkët në Nju Jork. Sipas këtyre burimeve, rezoluta do të dorëzohet, edhe nëse nuk pajtohet “pesëshja” evropiane, pasi që këtë thuhet se do ta bëjnë shtetet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për të arritur konsensusin e plotë, sipas burimeve, problemin kryesor po e paraqet Spanja, për dallim nga katër vendet tjera që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës (Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro). Sipas burimeve të gazetës Zëri, nëse do të arrihej uniteti i BE-së, Serbia do të gjendej në një situatë tejet të vështirë, sepse rezoluta serbe për fillimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë, e cila tashmë është proceduar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të konfrontohej drejtpërdrejt me atë të BE-së, kështu që gjasat e diplomacisë serbe për të përfituar diçka do të ishin minimale. Pas vendimit këshillëdhënës të Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, përfaqësuesja për politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Catherine Ashton i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe të fokusohet në ndërtimin e raporteve të mira ma shtetin fqinj, Kosovën. Ndërkaq ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Moratinos ka deklaruar se Spanja e mirëpret vendimin e gjykatës, porse qëndrimi i saj rreth njohjes së Kosovës mbetet i pandryshueshëm.