Spanja Del Boske publikon listen e lojtareve per miqesoret

Trajneri i Kombëtares spanjolle, Visente del Boske ka publikuar listën provizore me 21 futbollistë me të cilën kampionët e botës dhe Europës në fuqi do të nisin përgatitjet për fazën finale të Euro 2012.
Në skuadër mungojnë lojtarët e Barcelonës, Atletik Bilbaos dhe Çelsit, të cilët vazhdojnë të jenë të impenjuar. Fernando Torres dhe Huan Mata do të mësojnë vetëm pas finales së Champions League më 19 maj nëse do të jenë pjesë e skuadrës, ndërsa e njëjta gjë vlen edhe për afro 10 futbollistë tëe Barçës dhe Bilbaos, që do të luajnë në finalen e Kupës së Mbretit më 25 maj.
Lista përfundimtare e “Furisë së Kuqe” do të zbulohet më 27 maj, ndërsa në kuadër të dy miqësoreve me Serbinë më 26 maj, Korenë e Jugut më 30 maj dhe Kinën më 3 qershor, mes fytyrave të reja spikatin portieri i Mançester Junajtid, De Gea, Isko dhe Injasio Monreal të Malagës, Benat i Betis, Havi Garsia i Benfikës dhe tre lojtarë të Atletikos së Madridit, fitues të Europa League.
“Kemi afruar disa lojtarë që kanë zhvilluar një sezon të mirë. Në ekip nuk mund të vijnë të gjithë ata që nuk u paraqitën në nivelet e pritura. Në zgjedhjet e mia në mesfushë nuk kam menduar vetëm për periudhën afatmesme dhe për Euro 2012, por edhe për kualifikueset e Botërorit 2014. Luajmë në një grup të vështirë dhe duhet të mendojmë për të gjetur alternativa në disa pozicione, nëse do të na nevojiten elementë të rinj”.
Në Euro 2012, Spanjës do ti mungojë mbrojtësi Karles Pujol që iu nënshtrua një operacioni në gjurin e djathtë, ndërsa për sulmuesin David Vija, drejtuesi i stolit kërkon kohë deri më 27 maj për të vendosur përfundimisht. Spanja ndodhet në Grupin C të Euro 2012 dhe në ndeshjen e parë, më 10 qershor do të ketë si kundërshtare Italinë. Rivalë të tjerë në grup për iberikët janë edhe Republika e Irlandës dhe Kroacia.