elsi mund te shkruaje historine

Trajneri i përkohshëm i Çelsit, Roberto Di Mateo beson se skuadra e tij mund të shkruajë historinë të shtunën në finalen e Champions League kundër Bajernit të Mynihut. Drejtuesi i stolit të bluve të Londrës deklaroi se kjo është sfida e tij më e madhe në karrierë, mbi të gjitha sepse katër lojtarë janë të pezulluar, ndërsa tre të tjerë rrezikojnë të mungojë për shkak të dëmtimeve.
“Mendoj se kjo ndeshje mund të përcaktojë historinë e klubit të Çelsit, pasi kemi shansin të fitojmë trofeun e parë në Champions League. Vetëm kjo ka rëndësi dhe jemi të përqendruar drejt arritjes së këtij objektivi”, deklaroi ai.
Çelsi nuk do të ketë në dispozicion kapitenin Xhon Terri, mbrojtësin Branislav Ivanoviç dhe mesfushorët Raul Meireles e Ramirez, ndërsa Maluda, David Luiz dhe Geri Kahill janë të dëmtuar, me dy të fundit që janë kthyer në stërvitje pas afro një muaji. Nëse David Luis e Kahill nuk do të rikuperohen në kohë, atëherë në stolin e rezervave Çelsi do të ketë vetëm futbollistë të rinj. Megjithatë, Di Mateo do të marrë në Mynih të gjithë lojtarët, edhe ata që nuk do të luajnë.
“Terri dhe të gjithë lojtarët e tjerë të pezulluar do të vijnë në finale për të mbështetur pjesën tjetër të skuadrës. Edhe pse nuk luajnë, me eksperiencën që kanë, ata do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm edhe në përgatitjen e ndeshjes”bëri me dije trajneri.
Di Mateo nuk mendon se Çelsi është i favorizuar pas humbjes 5-2 të Bajernit në finalen e Kupës së Gjermanisë përballë Borusias së Dortmundit, përkundrazi beson se bavarezët kanë avantazhin që luajnë në fushën e tyre. Kjo është finalja e dytë e Çelsit në Champions League, pas asaj të humbur në vitin 2008 me Mançester Junajtid.