E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja kërkon ndihmë nga Evropa

Spanja është në kërkim të një ndihme të drejtpërdrejtë financiare nga Evropa për të shpëtuar bankat e saj të përfshira nga borxhet e mëdha, por Gjermania është e palëkundur në qëndrimin e saj kundër një ndihme të tillë financiare, pa imponuar kushte të reja të shpenzimeve nga qeveria e Madridit.

Duke marrë parasysh financimin e pasigurt për Institucionin bankar të Spanjës, Bankia, që e ka blerë shteti për 24 miliardë dollarë, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy po përpiqet të gjejë mbështetje për marrjen e një ndihme financiare nga fondi i shpëtimit i krijuar nga 17-vendet e eurozonës. Franca dhe Komisioni Evropian kanë sinjalizuar mbështetjen e tyre për Spanjën.

Por zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert, tha se varet nga qeveritë kombëtare individuale e jo sistemet bankare, për të kërkuar ndihmë financiare nga fondi i shpëtimit dhe pastaj respektimi i kushteve për shpenzimet parapara ndihmës financiare të këtij lloji. Zëdhënësi Seiber tha se “këtë duhet ta respektojë edhe Spanja”.

Tregjet e aksioneve në mbarë Azinë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara pësuan rënie të hënën, nga shqetësimet se kriza e borxhit Evropian po ndikon në vendimet e investitorëve.

Ndërkohë, Portugalia, një tjetër vend i Evropës i përfshirë nga borxhet e mëdha, ka ulur parashikimet për rritjen e saj ekonomike në 0,2 për qind për vitin e ardhshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›