E Diel, 1 Nëntor 2026

Mao Ce Duni në Moskë

 

Festivali

Historia e shqiptarit rom, që i vuri emrin të birit Mao Ce Dun, shfaqet në Moskë. Prej datës 19 deri në 28 qershor, po zhvillohet në Moskë një nga ngjarjet më të mëdha kinematografike në Rusi. Përgjatë 10 ditëve do të shfaqen rreth 200 filma që vijnë nga të gjitha vendet e botës. Në 19 qershor ishin aktorët hollivudianë Will Smith dhe Charlise Theron ata që i dhanë udhë edicionit të 30-të të festivalit në “Pushkinski Cinema Hall”. Pas ceremonisë së hapjes u shfaq filmi i tyre “Hancock”, i cili vetëm pak ditë më parë pati premierën në Amerikë. Dhe në këtë atmosferë yjesh dhe pjesëmarrjeje të gjerë është i pranishëm edhe një prodhim shqiptar. Komisioni Përzgjedhës i Festivalit të 30-të Ndërkombëtar të Filmit në Moskë vendosi që filmi "Mao Ce Dun" i regjisorit, Besnik Bisha, të marrë pjesë në konkursin zyrtar të këtij Festivali. Sipas programit, filmi do të shfaqet në datën 25 qershor, fillimisht për mediat e më tej edhe për publikun e gjerë. “Mao Ce Dun” është një nga prodhimet e fundit shqiptar, i cili pati premierën në Tiranë, një vit më parë. Filmi me skenar të Besnik Mustafait dhe regji të Besnik Bishës është një komedi tragjike, që tregon për një rom, që gjatë viteve të vëllazërisë shqiptaro-kineze i vë të birit të sapolindur emrin e udhëheqësit kinez Mao Ce Dun. Nderimet e krerëve komunistë pasohen me përndjekje pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën. Në film interpretojnë aktorët Fadil Hasa, Miola Sitaj, Ola Sadiku, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›