Spanja në festë për heronjtë e saj
Ora 15.00, kampionët kthehen në atdhe. E përpiktë, Spanja e trajnerit Del Boske zbret në Madrid, e pritur nga një numër i vogël tifozësh, por që gjithsesi janë të zhurmshëm. Ndryshe nga triumfi Euro 2008, mbërritja e “Rojas” nuk ishte parashikuar në ceremoninë zyrtare dhe për këtë arsye fansat nuk ishin të shumtë, nëse mendon se mbi 300 mijë persona ndoqën finalen e së dielës në rrugët e Madridit. Sapo aeroplani zbriti në tokën iberike, pilotët e “airbus”-it kanë nxjerrë flamurin nga dritarja, duke ngritur peshë entuziazmin e të pranishmëve. Në anët e avionit ishte shkruar me germa të dukshme “Campeones”, e njëjta fjalë që thirrej nga mbështetësit. Ishin kapiteni Iker Kasijas dhe tekniku Del Boske ata që dolën të parët, ndërsa ngritja e kupës nga “gardiani” hapi zyrtarisht festën. Të gjithë lojtarët janë pritur me ovacione, por nuk kishte asnjë kontakt të afërt me tifozët. Përfaqësuesja spanjolle u transferua menjëherë në hotel, ku hëngri drekën dhe u qetësua përpara festës së vërtetë, e cila nisi në orën 19.00 dhe vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit.
Përpara “takimit” me tifozët, fituesit e Botërorit 2010 kanë zhvilluar dy takime shumë të rëndësishme. Në orën 18.00 ata u pritën nga e gjithë familja mbretërore në pallatin e saj në Madrid. Mbreti Huan Karlos, i cili nuk arriti të shkonte në Afrikën e Jugut prej problemeve shëndetësore, Mbretëresha Sofia, princët e Asturias dhe princesha Elena priten mes emocioneve të gjithë protagonistët e triumfit në Johanesburg. Mbreti u komplimentua me të gjithë, përqafoi “arkitektin” Del Boske dhe kapitenin Kasijas, ndërsa rezervoi edhe dy përqafime për autorët e dy golave të fundit të Spanjës, Pujol dhe Injesta. “Ishit një shembull i sportivitetit, emocionuat të gjithë Spanjën dhe realizuat një prej ëndrrave tona”, tha mbreti në fjalimin e tij. Më pas, Kombëtarja spanjolle u prit edhe nga Kryeministri, Zapatero.