E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja, në gjysmëfinalet e Botërorit mes drithërimave

Iberikët Vija, vendimtar kundër Paraguait, “Furinë e Kuqe” e pret përballja me Gjermaninë

Spanja është gjysmëfinalistja e katërt e Botërorit 2010 dhe tashmë do të ndeshet me Gjermaninë. Iberikët kualifikohen pasi kanë vuajtur përballë Paraguait, duke fituar vetëm në minutat e fundit të takimit falë rrjetës së të zakonshmit David Vija. Në këtë mënyrë, Europa mposht 3-0 Amerikën Jugore në sfidat direkte: pas Holandës dhe Gjermanisë, të cilat kanë mposhtur Brazilin dhe Argjentinën, Spanja nuk zhgënjen dhe ashtu si parashikohej vazhdon aventurën në Afrikën e Jugut. “Furia e Kuqe” falënderon Iker Kasiljas për pritjet e tij (një penallti të Kardozos në të 57-tën) dhe oportunizmin e Vijës përpara portës. Sulmuesi i Barcelonës ka rezultuar vendimtar për skuadrën e drejtuar nga Del Boske, duke realizuar 5 nga 6 golat në këtë aktivitet. Me kualifikimin e djeshëm, spanjollët barazuan ecurinë e tyre më të mirë në Kupën e Botës (vendin e katërt në Brazil ’50) dhe më 7 korrik do të sfidojnë Gjermaninë në Durban. Në anën tjetër, Paraguai kthehet në shtëpi me kokën lart dhe me kualifikimin në çerekfinale si kujtim, rezultati më i mirë në historinë e kësaj përfaqësueseje. Pjesa e parë e lojës ka qenë më së shumti e mërzitshme dhe me një lojë të ekuilibruar. Spanja ka vuajtur presingun e lartë të kundërshtarëve, që kishin ndryshuar totalisht repartin sulmues, duke aktivizuar Kardozon dhe Valdez. Rastin e vetëm të 45 minutave të para e kishin latinët, me Valdez që arrin të shënojë, por goli anulohet pa të drejtë për një pozicion inekzistent jashtë loje. Paraguai kishte shansin më të mirë të kalonte në avantazh në të 57-tën, por Kasiljas arrin të hipnotizojë Kardozon dhe mban në lojë të tijtë. Këto minuta janë të pabesueshme, pasi vetëm pak çaste më vonë, në zonën tjetër janë spanjollët ata që fitojnë 11-metërsh, pas një ndërhyrjeje ndaj David Vijës. Ksabi Alonso realizon në tentativën e parë, por gjyqtari Batres bën me shenjë që penalltia duhet të ekzekutohet edhe një herë. Në tentativën e dytë, mesfushori i Realit të Madridit gabon dhe i jep mundësi portierit Vijar të bëjë mrekullinë. Spanja hidhet e gjitha në kërkim të golit, madje duke rrezikuar edhe të pësojë, për shkak të hapësirave të mëdha në mbrojtje. Duhej të vinte minuta e 83-të kur është sërish Vija ai që nxjerr nga situata iberikët. Sulmuesi përfiton nga një top që kthehet nga shtylla pas tentativës së Pedroz dhe gjuan pa u menduar: sfera që përplaset dy herë në shtyllë përfundon në rrjetë dhe i dhuron “Furisë së Kuqe” kualifikimin.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›