Skolari ose Leo për Brazilin. Kaka: E ardhmja ime? Nuk e di
Felipe Skolari ose Leonardo janë dy pasardhësit e mundshëm të Karlos Dungës në krye të stolit të përfaqësueses së Brazilit. Hipotezat kanë filluar të qarkullojnë vetëm pak orë pas humbjes me Holandën, që solli eliminimin e “seleçaos” nga Afrika e Jugut 2010. Skolari, kampion me verdhjeshilët në edicionin e vitit 2002, cilësohet si alternativa kryesore. Ai nuk e ka fshehur dëshirën për t’u kthyer në stolin e Kombëtares për Botërorin 2010, që do të organizohet në Brazil: “është ëndrra ime”. Megjithatë, aktualisht “Felipao” është nën kontratë me Palmeirasin dhe nuk mund ta prishë këtë marrëveshje. Kandidati tjetër është Leonardo, që pasi mbylli aventurën e tij te Milani, tashmë dëshiron të kthehet dhe të jetojë në vendlindje. Fillimisht, emri i tij përflitej për një post në komitetin organizator të Kupës së Botës 2014, por tashmë ka marrë formë hipoteza për t’u emëruar në pankinën “seleçao”. Pavarësisht problemeve që ka pasur në Milano, me skuadrën kuqezi, por edhe eksperiencën e pakët në karrierën si trajner, kampioni i botës në 1994-ën ka treguar se i plotëson të gjitha kriteret për të punuar me përfaqësuesen. Kandidati tjetër që përflitet është Mano Menezes, trajneri i Korinthiansit, i cili ka regjistruar rezultate mjaft të mira në krye të “Timao”-s. Lamtumira e Dungës është bërë mes emocioneve dhe zhgënjimit. Stafi dhe lojtarët brazilianë kanë darkuar së bashku në qetësi të plotë në hotelin në Port Elizabet. Heshtja u ndërpre nga portieri Zhulio Sezar, i cili ka ngushëlluar ish-trajnerin. “Arrite të krijosh një grup miqsh, vëllezërish. Dëshironim ta fitonim kupën dhe të ta dedikonim ty”, tha “gardiani” i Interit. E menjëhershme përgjigjja e Dungës: “Ishte një nder që punova me ju, më bëtë të ndihesha krenar”.
Pas eliminimit nga Botërori 2010, te Brazili duhet të merren edhe me çështjen “Kaka”. Përpara largimit nga Afrika, mesfushori i Realit të Madridit ka lëshuar një deklaratë që ngriti dyshime për aktivizimin e tij të mëtejshëm me Kombëtaren. “E ardhmja ime në përfaqësuese? Nuk e di… realisht nuk e kam të qartë se çfarë do të ndodhë këtej e tutje. është një moment shumë delikat dhe mjaft i vështirë, jo vetëm për karrierën, por edhe për jetën time. Jam shumë i lidhur me Kombëtaren braziliane, madje edhe në të kaluarën kam përjetuar momente të këqija. Megjithatë, ky është më i vështirë se të gjithë të tjerët. Në këtë periudhë nuk mund të mendoj për botërorin e ardhshëm, i cili është ende larg. Dua të reflektoj gjatë për jetën dhe për karrierën time”, tha organizatori 28-vjeçar.