Maradona: Brazili favorit, Argjentina jo mes kandidateve
Sipas Diego Armando Maradonës “Brazili mbetet favoriti i madh i Botërorit në Afrikën e Jugut”. Trajneri i Argjentinës mbeti i mahnitur nga suksesi që “seleçao” arriti përballë Bregut të Fildishtë. Me fitoren 3-1, skuadra e drejtuar nga Karlos Dunga siguroi përpara kohe kualifikimin në 1/8 e finales. “Ndoshta nuk luajnë bukur, por rëndësi ka që skuadra realizon atë për të cilën ka zbritur në fushë”, deklaroi Maradona në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Greqinë (sot, 20:30 në Polouane). “Seleksion”-it i mjafton vetëm një pikë për ta mbyllur Grupin B në vendin e parë. “Ne nuk jemi kandidatë për titullin, nuk jemi favoritë”, deklaroi ai. “Ndodhemi këtu për të bërë të pamundurën që t’i dhurojmë gëzim të gjithë argjentinasve, duke luajtur ashtu si na pëlqen dhe duke u zbavitur në fushë. Më pëlqen skuadra që kam: jemi solidë në mbrojtje dhe vazhdimisht luajmë në sulm”. “Pibe de Oro” bëri të ditur se do të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar, për takimin e sotëm. Megjithatë, shpresat e grekëve për t’u kualifikuar janë zbehur disi, pasi Lionel Mesi do të jetë në fushë. “Në të vërtetë, mendoja që ta lija pushim Leon. Por, atij i pëlqen shumë të luajë dhe unë e adhuroj këtë gjë. Ndoshta mund t’i jap edhe shiritin e kapitenit”, shtoi Maradona. “Nuk kam si ta lë jashtë. Për mendimin tim, tani për tani Mesi është lojtari më i mirë në botë. Jemi shumë të kënaqur me paraqitjet e tij. Edhe pse ende nuk ka shënuar, ai ka krijuar shumë raste për vete dhe për shokët”. Drejtuesi i stolit argjentinas konfirmoi se pas dy fitoreve me Nigerinë dhe Korenë e Jugut, Karlos Tevez, Gonzalo Higuain, Gabriel Haince dhe Havier Maskerano do të qëndrojnë në stol, ndërsa në sulm do të ketë hapësira për Serxho Agueron dhe Diego Militon.
Më tej, Maradona foli për golin me dorë të Luis Fabianos kundër Bregut të Fildishtë, të cilin sulmuesi e cilësoi si “Dora e Zotit”, prekje për të cilën është i famshëm pikërisht “Pibe de Oro”. “Nuk ishte ‘Dora e Zotit’, por thjesht krahu i Fabianos. Ishte shumë e qartë, lojtari e kontrolloi topin me dorë, madje dy herë. Pas akordimit të golit, u habita me faktin se gjyqtari francez, Stefan Lanoi buzëqeshte. Ishte një tragjikomedi. Kur unë shënova me dorë në vitin ‘86, mbaj mend që arbitri kishte shumë dyshime. Ndërsa gjyqtari francez qeshte dhe kjo do të thotë se ai e kishte parë shumë mirë parregullsinë nga Luis Fabiano”. Maradona ka folur edhe për situatën delikate që po kalojnë skuadrat europiane në përgjithësi dhe Italia (kampione e botës në fuqi), në veçanti. “Nëse Italia nuk kalon fazën e grupeve, për ata do të jetë një skandal. Gjithsesi, në ‘82 ata kaluan me tri barazime, ndërsa më pas fituan Kupën. Mendoj se skuadrat më të rëndësishme do të kualifikohen, edhe pse më habit situata te Franca”, përfundoi legjenda argjentinase.
#