E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanja, reflektorët mbi Mou Është antimateria e Barçës

Shtypi spanjoll analizon eliminimin e Barcelonës dhe triumfin e Interit

Barcelona qan, Madridi qesh nën hundë. Natyrisht që edhe shtypi spanjoll është i ndarë në dysh: të përditshmet sportive katalanase përshëndesin kampionët e tyre të humbur, ndërsa gazetat më të lexuara në kryeqytetin spanjoll nënvizojnë surprizën e Murinjos. “Mou, e fitove”, titullohet në faqen e parë të “Marca”-s. Referimi i qartë është për pankinën e Realit, me klubin madrilen të entuziazmuar pas eliminimit të rivalëve të përjetshëm blaugranë nga Champions League. Gazeta është "Mourinhocentrico" dhe komentet mbi “mbretin e Kamp Nout” janë të shumta. Në veçanti interesante është një analizë, sipas së cilës Interi i portugezit është tamam e kundërta e Barcelonës, një lloj “antimaterie” e aftë të ndalojë “kampionët e gjithçkaje”: një lojë “ultradefensive, e qetë dhe e kujdesshme” e zikaltërve ka rezultuar efikase. “Marca” po ashtu vë theksin në dy episode, që sipas tyre demonstrojnë skarcitetin e lojës së Barçës: sistemi i ujitjes, që u vu në punë direkt pas fërshëllimës finale për të frenuar festimet e kundërshtarëve dhe përplasjen mes Valdes e Murinjos, ku portieri katalanas i vuri duart në fyt trajnerit portugez. Ndërsa “As” preferon të përqendrohet te “rreziku i munguar”. Faqja e parë flet për një “Cibeles (sheshi ku festohen triumfet e madrilenëve), që fle i qetë”: finalja e 22 majit në Madrid nuk do të shikojë festime blaugrane në territorin “armik”. “Madridi mbetet 650 km larg”, lexohet në një nga 9 faqet e dedikuara për superndeshjen. Më shumë faqe mbi Barça-Inter gjenden te “Sport”: plot 33, që flasin me krenari për një skuadër të eliminuar, por jo të ridimensionuar. “Kampionët ranë si kampionë”, titullon e përditshmja katalanase, duke siguruar se “dalja nga skena i detyrohet faktit se Interi zgjodhi të mos luante futboll” dhe se "tani objektivi është fitimi i La Ligas”. Festimi i Murinjos përkufizohet “polemik”, kartoni i kuq për Motan është “një tjetër gabim foshnjarak i një lojtari të papjekur”, ndërsa “Pike ka qenë më i miri në fushë, së bashku me publikun e mrekullueshëm”. Nënvizohet një e dhënë kurioze: 60 krose ndaj 7 në Barça-Inter, me 13 gjuajtje në portë të blaugranëve kundër zero të zikaltërve. Një dominim unikal. “Erdhi vonë”, titullon kopertinën “El Mundo Deportivo”, duke folur për golin e Pikesë, i cili rihapi momentalisht ndeshjen. Reflektorët mbi “shoun” e Murinjos, mbi falënderimin e 96 214 spektatorëve dhe mbi paraqitjen e Pikesë, “një sulmues i madh, i fshehur brenda një mbrojtësi”. Arbitrimi i De Bleker nuk është pëlqyer (goli i Bojan, i anuluar pa të drejtë, penalltia për Ibrën, protagonizmi i tepërt, si Benkuerença në ndeshjen e parë). Dhe sigurisht nuk është pëlqyer as "Katenaçio” interiste. Nga fundi ka hapësirë edhe për prapaskenë, të zbuluar të mërkurën në televizioni katalanas TV3: më 2008-n, Murinjo i kishte prezantuar një projekt drejtuesve të Barçës për t’u bërë trajneri i saj pas largimit të Rajkard. Në total janë 27 faqe, ku bie në sy moduli i (4-3-3), me kampionët që duheshin mbajtur (Deko, Eto'o) dhe lojtarëve për t’u shitur (Ronaldinjo, Edmislon, Gudjonsen, Zambrota). Ishte shprehur edhe një ide tjetër, ajo në lidhje me trajnerin e dytë: Mou dëshironte Luis Enrike, Ferrer ose Eusebio. Guardiola nuk figuronte asgjëkund. Historia shkoi ndryshe: Guardiola fitoi 6 tituj, por sot Murinjo ka shumë gjëra për të bërë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›