E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në rrënjët e Zhozesë

Rinia, shpresat, ambiciet. është në Setubal, në Portugali, çelësi për të hyrë në jetën sekrete të Zé Mario-s, siç e quajnë të gjithë Murinjon. Këtu mund të zbuloni topat e vjetër, fotografitë, fanellat që mbante veshur dhe të njiheni me miqtë e “monumentit që ecën”

Përveç “La Plaza de Toros” (‘Sheshit të demave’), majtas, rruga fillon të zbresë: ndalo aty dhe do të gjesh Murinjon. çelësi për të hyrë në botën e Zhozesë, para se të bëhej i famshmi Murinjo është një copë letër e bardhë. Pak metra më poshtë ndodhet e kaluara: fundi i karrierës si futbollist, fillimi i asaj si trajner, rinia, shpresat, ëndrrat, ambiciet. Fusha e “Bela Vista” është kontejneri i Zé Mario-s, siç e thërrasin të gjithë Murinjon në Setubal. është një kartë shëndetësore e viteve ’80 me fotografinë e një 20-vjeçari, me flokë të zinj, i cili ishte mbrojtës i kësaj skuadre të serisë C. është epoka e universitetit, kur ai shkonte në Lisbonë për të studiuar dhe kthehej menjëherë këtu për t’u stërvitur fillimisht, pastaj për të stërvitur të tjerët.

Kjo është historia e një djali që u bë shumë i famshëm. Këtu dhe përgjatë gjithë këtij qyteti i cili mbështetet tek oqeani Atlantik dhe goja e “Tagus”: Setubali “e sheh” Lisbonën me respekt, por mbetet mbrapa me sigurinë. Dy gjëra shumë të afërta, por tepër të ndryshme. Ndoshta kjo është edhe arsyeja që Zhoze nuk është transferuar kurrë në kryeqytet: as kur studionte, dhe as kur u bë trajner. Vendi i tij është këtu, ku nuk ka nevojë të jetë asnjë tjetër përveç Zé Mario-s.

Shtëpia e tij është një vilë në një lagje periferike të pasur, por nuk është luksoze. E njohin të gjithë, por asnjë nuk ka guxim ta tregojë: për ta gjetur duhet të ndjekësh postierin, i cili shpërndan letrat në këtë zonë. është një shtëpi e heshtur, sepse në këtë periudhë nuk banon askush dhe postieri e di këtë gjë. Madje e di i gjithë Setuali.

Këtu është shtëpia e Murinjos? Ai nuk përgjigjet, por vendos kaskën në kokë dhe niset, duke të lënë vetëm një buzëqeshje që do të thotë po. “Beco do Arco Cruzeiro” është adresa e qetësisë. Herën e fundit që Murinjo është fotografuar këtu, shëtiste i veshur me tuta përkrah bashkëshortes, Tami. Në këtë shtëpi Zhoze kthehet vetëm kur nuk dëshiron të jetë i famshëm.

Setubali është mbrojtja e një privatësie të ndërprerë vetëm nga ata që presin me padurim të tregojnë se janë miq të Zé Mario-s. Nuk ka rëndësi nëse kjo është e vërtetë, gënjeshtër, apo gjysmë e vërtetë: është pothuajse e pamundur të dish se kush e njeh vërtet, sepse tani këtu e njohin të gjithë. Si çdo njeri që e do vendlindjen, edhe ai e adhuron Setubalin. Kështu nëse dëshironi të gjeni dikë që të mos mburret, duhet të shkoni në stadiumin “Bonfim”: aty është “Vitoria”, skuadra e Zhozesë, skuadra e të atit, skuadra e gjithë qytetit. “Fol me Fernandon”, më thotë te hyrja. Fernando kë? Fernando është Fernando Tome, krenaria e vjetër e skuadrës “Vitoria” dhe sot përgjegjës i sektorit për të rinjtë. Ka luajtur me Feliksin, babanë e Zhozesë. Këtu babai i Murinjos është shumë i famshëm: korridori i stadiumit që kalohet për të arritur në sallën e trofeve është i mbushur me fotografitë e momenteve të më rëndësishme të skuadrës “Vitoria”. Feliksi duket në aksion, ndërsa qëndron, duke pozuar, me rroba civile. Gjithashtu, ai është edhe brenda asaj salle të mbushur me kupa, medalje dhe flamuj trekëndësh: “Këtë trofe? E kemi fituar së bashku. Këtë; edhe këtë tjetrin”. Tomé as që i numëron, pastaj të shoqëron drejt një vitrine ku qëndron një top i viteve ’60: “Me këtë top është luajtur ndeshja e inaugurimit e këtij stadiumi. Në fund të ndeshjes topi iu dorëzua atij: Zé Mario-s iu dhurua pas disa kohësh dhe kur mbushi 25 vjeç, ai ia dhuroi skuadrës ‘Vitoria’. E ekspozojmë me shumë krenari”. Fjalëkalimi për të hyrë në këtë stadium është pikërisht “krenari”: e përsërisin kur të çojnë në tribunë dhe të tregojnë se çfarë ka bërë birra “Super Bock”, një prej sponsorëve të skuadrës “Vitoria”.

Homazh, bashkëpunim, ndjenjë përkatësie: duket sikur ky qytet ka vendosur të “vështrojë” në qetësi Murinjon për ta mbrojtur nga jashtë: atë, historinë dhe familjen e tij. Prindërit kanë mbetur këtu: dikush thotë se baba Feliksi kalon çdo ditë në stadium. “Edhe sot ishte këtu”, thotë Fernando. është për t’u çuditur, sepse nëse pyet për ta, për Feliksin dhe Maria Hulian, asnjë nuk flet. Në qytet preferojnë të thonë se kanë shkuar në Algarve, ku kanë një shtëpi e ku thuhet se Zhoze po ndërton një hotel. Askush nuk guxon të hyjë jetën private të Murinjove: kush e bën pa marrë leje është nuk i padëshirueshëm. Nuk duhet të bësh pyetje, me shpresën se do të të afrohet dikush dhe do të të ndihmojë: “Unë jam një mik i Feliksit, them, a mund të thoni ndonjë gjë?”. Për fat të mirë, ashtu si në çdo vend edhe këtu diferenca transformohet në bashkëpunim. është gjithmonë dikush që dëshiron të të ndihmojë: ti nuk e njeh, por vetëm pret dhe të të thotë atë që di. “Fola me Feliksin, ai nuk ju njeh dhe nuk ka dëshirë të bisedojë me ju, por më tha disa gjëra: Djali im ka menduar gjithmonë për futbollin. Ishte pasioni më i madh i jetës së tij, ishte një kënaqësi, jeta vetë!. Kur ishte i vogël dhe unë shkoja për të bërë stërvitje, ai ulej në pankinë dhe nuk m’i ndante sytë. Në moshën 15-vjeçare më tha se ëndrra e tij ishte të bëhej trajner”. Edhe nëna Maria Hulia ka një tregim të lidhur me shkollën. Ajo ishte mësuese e letërsisë portugeze: “E regjistrova në universitet në një kurs ekonomie, por ai më tha menjëherë se nuk ishte për të. Kishte dëshira të tjera. Sot, kur dëgjoj të flitet për të si arrogant, mërzitem pak. Njerëzit nuk e njohin. Ai nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë i tillë”.

E thonë shumë në Setubal, a thua se ai që shohim në Itali nuk është Zhozeja i vërtetë. Zé Mario është një person tjetër. Duhet ta quash kështu që të kuptohesh, përveç në shkollë. Në shkollën e mesme “Bocage” studiojnë shumë nxënës. Edhe Zhoze ka studiuar këtu: historia e nxënësit Murinjo është e hedhur në ndonjë skedar. është dëftesa shkollore, detyrat e tij, temat, gjykimet e mësuesve. është gjithçka, por nuk shihet. “Dëftesa shkollore? Po është këtu, por unë nuk mund ta marr, nuk kam të drejtë t’ua tregoj. Nuk mund t’iu lejoj që ta fotografoni. Kështu është ligji. Unë nuk kam qenë drejtoreshë në këtë shkollë kur zoti Murinjo studionte këtu. Mund t’u them vetëm atë që më kanë treguar: ishte i zoti, kishte nota të larta në të gjitha lëndët, ndërkohë që nuk e fshihte pasionin e tij për sportin. Ora e tij e preferuar ishte edukimi fizik, siç është për të gjithë fëmijët”, thotë drejtoresha e shkollës.

Për të gjetur informacione rreth një kapitulli tjetër për rininë e Murinjos duhet të lësh qendrën për të shkuar në periferi. Një lagje shumë e populluar sot, e banuar kryesisht nga emigrantët dhe nomadët. Këtu sapo kanë rikonstruktuar shkollën që dikur mbante emrin “Ana Maria Osorio”. Këtu na pret drejtori, Pedro Flurenço: “Ejani – më thotë - këtu janë disa profesorë që kanë punuar me zotin Murinjo”. Me njërin prej tyre, Pedro Vale, Zhoze ka frekuentuar “Isef”-in në Lisbonë: “Ai ishte i fiksuar pas futbollit, ndërsa unë pas notit. Më pas u takuam sërish në shkollë. Në atë kohë instituti ishte një strukturë prej druri, por neve nuk na interesonte kjo gjë. Ishim të rinj, donim të mësonim, të bënim diçka për djemtë. Zé Mario-n? Unë mendoj se vetëm këtu në Setubal e njohin mirë. Jashtë gazetarët e sulmojnë dhe ai mbrohet. Megjithatë, do ta shikoni: do të fitojë gjithçka këtë vit, pastaj do të shkojë gjetkë për të fituar. Në fund do të kthehet në Portugali dhe do të jetë trajner i kombëtares”.

Programi është i duhuri: fundja është ajo që Murinjo ka thënë gjithmonë se dëshiron të bëjë. Kur? Kush e di. Mjaft larg në kohë sa për të dhënë përshtypjen se Setubal do të mbetet ende për shumë gjatë vetëm një strehë. Ashtu si disa kilometra më larg në Pousada, ku shumë njerëz thonë se Zhoze kalon një copë kohë sa herë që kthehet në Portugali. Nga aty Setubali shihet si në pëllëmbë të dorës. Por për t’u kthyer në vendet ku ka qëndruar Zhoze, duhet të ecësh përgjatë rrugës. Ja tek duket edhe “La Plaza de Toros” (‘Sheshi i demave’), në të majtë, më pas rruga fillon të zbresë, ku na pret edhe Carlos Lopes: sot ai është president dhe trajner i “Comercio e Industria”, skuadra e dytë e “Vitoria”. Një herë Lopez ishte portier dhe para tij qëndroi Zé Mario: “Arrogant?. Jo, askush nuk e njeh jashtë Setubalit. Ai është i qetë, vetëm se kur punon është tepër i përqendruar. Këtë gjë bënte edhe kur ishte i ri: para ndeshjes ishte i tensionuar vetëm punonte. Shakaja e tij e preferuar ishte të vinte akull në bluzën e ndonjë shoku, ose t’i fshihte këpucët. Pastaj hynte te dhomat e zhveshjes dhe ndërrohej: ishte gjithë kohës i përqendruar, serioz dhe i vendosur. Nuk ishte i fortë teknikisht, por studionte ndeshjet. Këtë gjë ka bërë gjithmonë. Jashtë fushës së futbollit nuk e kam parë kurrë të veshur me kravatë. Ishte sportiv dhe që atëherë rrinte vetëm me Tamin. Nuk mendoj se ka pasur të dashur tjetër. Ajo vinte dhe e merrte gjithmonë pas ndeshjeve”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›