E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet 2009, Standardet në dyshim

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani premtoi dje se në janar fillon pajisja me karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Por, partitë e majta nuk besojnë në përfundimin e proceseve përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009.

Opozita është e mendimit se shqiptarët nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’u pajisur me karta identiteti dhe pasaporta biometrike brenda vitit 2009. Ndërsa ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, njoftoi se qytetarët do të mund të kenë mundësinë të pajisen me këto dokumente identiteti në fillim të vitit 2009, për opozitën koha është e pamjaftueshme. Ky fakt, së bashku me vërejtjet lidhur me ndërtimin e regjistrit elektronik të shtetasve, sërish vë në pikëpyetje arritjen e standardeve të kërkuara në zgjedhjet e 2009-ës. Këtë qëndrim shfaqën anëtarët e majtë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë edhe gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ku raportonte ministri Nishani. “Siç shpreha dyshime edhe në mbledhjen e komisionit mund të them se pajisja e qytetarëve përpara zgjedhjeve të përgjithshme është e pamundur. Nëse siç tha Nishani, shpërndarja do të fillojë në janar të vitit të ardhshëm, pra s’ka kohë. Edhe si kohë fizike nuk është e mundur”, - i tha “Korrierit” pas mbledhjes Petro Koçi. Së bashku me deputetët e PS-së, Pirro Lutaj dhe Stefan Çipa i shprehën Ministrit të Brendshëm shqetësimin, se një vit më parë kishte dhënë afate të tjera. Koçi sqaron se në procesverbalin e raportimit të 19 qershorit të vitit të kaluar, afatet janë të tjera. “Aty thuhet se brenda 2008-ës do të shpërndaheshin 600 mijë pasaporta dhe 3 milionë karta identiteti. Ndoshta mund të jetë shprehur gabim, ose mund të jetë shënuar gabim data, por këtu kështu thotë”, - tha Koçi. Edhe Stefan Çipa i kujtoi ministrit të Brendshëm, se afatet e premtuara nuk janë mbajtur e po jepen afate të reja, por vetë Nishani hodhi poshtë akuzat, duke thënë se deklaratat janë të njëjta. Por ajo çka është për t’u vënë re, është fakti që vërehet me dyshim apo me mosbesim përmbushja e misionit të pajisjes së të gjithë shqiptarëve me këto dokumente përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Sipas Koçit, vetë Nishani thoshte se nga momenti i lidhjes së kontratës, që pritet të jetë pas një muaji, duhen të paktën 5 muaj për procesin e përfundimit të kartave. Nga fillimi i aplikimit të sistemit po ashtu duhen 8 muaj. Në krahun tjetër, vetë ministri i Brendshëm garantoi që procesi sikundër premtohet, do të realizohet në fillim të vitit të ardhshëm. “Unë jam i sigurt që qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të pajisen me dokumente të tilla të identitetit në fillimin e vitit 2009. Pajisja e shqiptarit të fundi është pak e vështirë për ta thënë sot, se ajo do të varet edhe nga angazhimi i qytetarëve”, - deklaroi Bujar Nishani, ndërsa shtoi se në kontratë do të përcaktohen edhe sanksionet nëse nuk përmbushen afatet. Në krahun tjetër, veç çështjes së kartave, zgjidhje duket se do të marrë shumë shpejt edhe çështja e regjistrit elektronik të shtetasve. Sipas Nishanit, brenda muajit qershor do të përfundojë sistemi i ri elektronik i shtetasve. Në shtator pritet të jetë gati regjistri elektronik i shtetasve me të drejtë vote, që do të përdoret në zgjedhjet e 2009-ës. Por socialistët edhe për këtë proces kanë vërejtje. Stefan Çipa vërejti se në regjistrat e vjetër, ku po bazohet ministria, për të ndërtuar regjistrin elektronik ka ende njerëz që kanë ndërruar jetë dhe vazhdojnë të figurojnë në lista. Sipas tij, ka madje edhe data qesharake, ditëlindje të vitit 1800, njerëz të cilët tashmë duhet të kenë moshën 140 vjeç. Por për ministrin e Brendshëm, sistemi i ri elektronik në të cilin deri tani ka përfunduar hedhja e të dhënave për 3 milionë e 200 mijë shtetas, përbën sigurinë më të lartë për lista të sakta zgjedhore, që eliminon edhe përsëritjet. Por pajisja me dokumentet e reja të identitetit ka edhe një kosto për qytetarët. Për pajisjen me pasaportën biometrike çmimi është 5000 lekë, ndërsa për kartat e identitetit 1100 lekë. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›