E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanjë, aty ku po zbarkojnë yjet

La Liga spanjolle njihet si kampionati me lojtarët më cilësorë në botë. Aty luajnë yje si Lionel Mesi, Kristiano Ronaldo apo edhe Kaka e Ksavi. Mirëpo, këtyre yjeve u janë shtuar edhe 10 të tjera gjatë këtij sezoni. Barcelona, Real Madrid dhe Valencia ishin skuadrat më aktive që freskuan radhët e tyre, andaj këto skuadra pa dyshim se dominojnë në këtë listë. Sipas ueb-faqes goal.com, e cila e publikoi këtë listë, përforcimi më i qëlluar në kampionatin spanjoll është futbollisti turk me pasaportë gjermane, Mesut Ozil. Me vetëm 22 vjeç, mesfushori ofenziv, i transferuar në Spanjë për 15 milionë euro nga Verder Bremen, është bërë menjëherë yll në “Santiago Bernabeu”, ndërsa nga ai pritet edhe më shumë në të ardhmen. Ai deri tani ka zhvilluar 45 ndeshje, ndërsa ka realizuar 10 gola dhe ka bërë 18 asiste. Pozita e dytë i takon përforcimit tjetër madrilen, Rikardo Karvajo nga Çelsi. Qendërmbrojtësi portugez, i cili kushtoi 8 milionë euro, është bërë shtyllë e repartit defanziv të ‘Merengues’. Vendi i tretë është rezervuar për Valero Borja, ish futbollistin e Uest Bromuiç Albion, i cili zbarkoi në Vilarreal gjatë verës që shkoi për 5 milionë euro. Mesfushori ofenziv ka impresionuar me lojën e tij duke shënuar 5 gola dhe duke dhënë 11 asiste. I katërti, David Vija, për të cilin Barcelona shpenzoi 40 milionë euro. Mirëpo, duket se ish-futbollisti i Valencias po i justifikon këto para, pasi është përshtatur mjaft mirë në ekipin e ri. Vendi i pestë i takon argjentinasit Angel di Maria, për të cilin Real Madridi shpenzoi 35 milionë. Ish-futbollisti i Benficas ka realizuar 9 gola dhe ka dhënë edhe 18 asistime.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›