E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanjë,dorëhiqet ministri i Drejtësisë,iu kërkua nga opozita

Ministri spanjoll i Drejtësisë Mariano Fernandez Bermeho ka dhënë dorëheqjen dhe është zëvendësuar menjëherë, pasi ishte në qendër të disa polemikave këto javët e fundit, sepse kishte marrë pjesë në një gjueti, bashkë me gjykatësin Baltazar Garzon, pikërisht në ditët kur ky i fundit kishte hapur një hetim mbi korrupsionin në ambjentet e partisë kryesore opozitare në vend, "Partia Popullore". Mbi këtë fakt, për të cilin opozitarët e partisë popullore kishin kërkuar dorëheqjen e Bermehos, të cilën e akuzonin për përdorim politik të drejtësisë, është ngritur cështja se ministri nuk kishte licencë për të gjuajtur në rajonin autonom të Andaluzisë. Bermeho ka qënë gjithashtu edhe në qendër të një proteste të gjykatëve spanjollë në të gjithë vendin, për kushtet e drejtësisë në Spanjë. Skandali shpërtheu të mërkurën e kaluar në grevën e parë të gjykatësve në historinë e Spanjës. Ndërkohë që ministri i ri i Drejtësisë në Spanjë është zgjedhur 46 vjecari Fransisko Kamano Domingez, që ka shërbyer si Sekretar Shteti në këto pesë vitet e fundit. "Shpresojmë që të ketë fat. Është e pamundur të punojë më keq se Bermeho", ka deklaruar lideri i partisë më të madhe opozitare në Spanjë "Partia Popullore", Mariano Rahoi, i cili e ka cilësuar si një lajm të mirë dorëheqjen e Bermehos. Rahoi, i cili në ditët e fundit kishte kërkuar disa herë dorëheqjen e ish-ministrit të Drejtësisë, e ka përcaktuar si prioritet për drejtësinë në vend, garantimin e paanshmërisë së gjykatësve, për t'i dhënë më shumë vlera organit të Drejtësisë në Spanjë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›