Provimet e lirimit, me rregullat e maturës shtetërore
Provimet e lirimti sivjet do të mbahen me rregulla të reja, të ngjashme me ato të maturës shtetërore. MASH, e cila ka zbardhur tashmë edhe rregulloren e provimeve të këtij niveli, bën me dije se ai do të mbahet me të njëjtat standarte në të gjithë vendin. Një ndër pikat kyçe të këtij procesi do të jetë vlerësimi i jashtëm, ku për çdo test do të jenë dy grupe paralele vlerësimi, të cilët do të përzgjidhen nga AVA. Testet për dy provimet e lirimi gjuhë-lexim dhe matematikë hartohen nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve dhe të dy provimet do të zhvillohen vetëm me shkrim. Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë, sipas skemës së përcaktuar nga AVA. Ky proces do të realizohet në mjediset që caktohen nga Drejtorit dhe zyrat arsimore përkatëse, në kushte të sigurta. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar. Për mbarëvajtjen e provimit do të caktohet një administrator, raporti i të cilit do të jetë një për 25 nxënës. Administratori i provimit që caktohet për mbikëqyrjen e nxënësve nuk duhet të jetë mësues i asaj shkolle dhe i lëndës që po merret në provim. Po ashtu, reregullorja e re për provimet e lirimit, përcakton një administrator sekretimi për çdo 60-70 nxënës. Ndërkaq, MASH ka shpallur edhe datat e provimeve të lirimit për klasat e 9-ta, të cilat janë 13 qershori për lëndën e gjuhës dhe leximit dhe 20 qershori për lëndën e matematikës. Shpallja e rezultateve bëhet jo më shumë se 15 pas çdo provimi lirimi.