Spanjollët zbrazin bankat
Ndërsa shefi i Komisionit Evropian, Juan Manuel Barroso, ka nisur të pajtohet ngadalë me daljen e Greqisë nga Eurozona, kursimtarët spanjollë tashmë po tërheqin masivisht paratë e tyre nga banka Bankia atje, e cila u nacionalizua javën e kaluar për shkak të problemeve financiare.
“Eurozona ndodhet në udhëkryq - ose do ta rregullojë situatën brenda vetes, ose do të shpërbëhet”, deklaroi kryeministri britanik, David Cameron, menjëherë pasi që guvernatori i Bankës Qendrore të Britanisë, Mervyn King, pohoi se “Eurozona po e shqyen vetveten” dhe se nuk duket se ka ndonjë zgjidhje të prekshme për këtë gjë. Nga ana tjetër, Bank of England ende nuk e ka paraparë shpërbërjen e Eurozonës, megjithëse po tashmë është përgatitje e sipër të një plani të vetin për këtë skenar.
Gjithnjë e më shumë banka qendrore, por edhe institucione private financiare, po përgatiten për atë që deri para një jave dukej e pamundur, respektivisht, për të cilën gjë nuk flitej fare publikisht. Tani po flitet dhe po dëgjohet, madje edhe nga goja e vetë guvernatorit të Bankës Qendrore Evropiane (ECB), Mario Draghi. Ai tani po thotë se, edhe pse dëshiron që Greqia të mbetet në Eurozonë, ECB`së i duhet të vazhdojë me mbrojtjen e integritetit të vetë.
Banka Qendrore Evropiane ka ndërprerë financimin e disa bankave greke, duke ia lënë këtë punë në dorë Bankës Qendrore Greke. Meqë grekët e frikësuar për çdo ditë po tërheqin eurot e tyre nga bankat greke, dhe ato euro në fund po përfundojnë në ECB, një vendim i tillë i ECB`së ka gjasë ta përshpejtojë “shterjen financiare” të Greqisë dhe afrimin e saj drejt pikës nga e cila më nuk ka kthim. Është kjo pika kur shtetit grek do t`i duhet ta braktisë euron dhe ta rikthejë ish-valutën e saj kombëtare. Pas porosive kaq të fuqishme nga dy banka të mëdha qendrore e Britanisë dhe e Evropës, mundësia e daljes ose e dëbimit të Greqisë nga Eurozona ka filluar të duket një opsion gjithnjë e më real.