Spanjolli i letrave, Lizarralde në Tiranë
“Shqipëria në pasqyrën e letërsisë” e publikuar kohët e fundit edhe në shqip, sjell në Tiranë shkrimtarin, dhe përkthyesin e shqipes në spanjisht, Ramon Sachez Lizarralde. Është një program i përgatitur enkas për ditën e sotme, të festimit të librit “Spanja- Shqipëria; në letërsinë e tjetrit” që do të shoqërojë autorin spanjoll në leximet letrare në auditorët e gjuhëve të huaja të universitetit të Tiranës
Gjithashtu do të prezantohet edhe përkthimi i parë në spanjisht i novelës së Fatos Kongolit, “Lëkura e qenit”. Njësoj si vitin e kaluar, edhe këtë 23 prill do të mbahet leximi i dytë publik i Don Kishotit në orën 12:00, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranes, i cili kremton njëkohësisht krijimin e departamentit të ri të Studimeve Hispanike, e konsideruar si një hap themelor për njohjen e gjuhës dhe letërsisë spanjolle në Shqipëri. Në këtë ceremoni do të jepen edhe çmimet të Konkursit të Dytë Don Kishoti i Mançës dhe në leximin publik të Kishotit. Këtë vit për herë të parë në 23 prill do t’i bëhet një homazh atyre autorëve, veprat e të cilëve janë përkthyer nga shqipja në cilëndo nga gjuhët e Spanjës apo prej këtyre gjuhëve në shqip. Dita do të mbyllet me filmin “Ushtarë të Salaminës”, bazuar në novelën me të njëjtin titull të Javier Cercas, e cila sapo është publikuar në shqip. Si mirënjohje për punën e tij si përkthyes i letërsisë shqipe në spanjisht dhe për kontributin ndaj njohjes së përbashkët ndërmjet Spanjës dhe Shqipërisë, Qeveria e Spanjës i ka dhënë Ramon Sanchez Lizarralde, Urdhrin e Meritës Civile të Spanjës. Me rastin e ardhjes së tij në Tiranë, do të zhvillohet një ceremoni në të cilën Ambasadori i Spanjës do t’i vendosë këtë dekoratë.
Lizarralde, autor, botues, kritik e përkthyes letrar, ka pasur pozicione drejtuese në shoqata dhe organizma të ndryshme publike, është docent dhe ka bashkëpunuar njëkohësisht dhe si komentator letrar në gazetën “El Pais”, “El Mundo” dhe në revista të ndryshme kulturore, spanjolle dhe ndërkombëtare. Që prej vitit 1990 i është dedikuar kryesisht përkthimit letrar. Përveç veprës së Ismail Kadare ka përkthyer autorë të tjerë shqiptarë si Mitrush Kuteli, Bashkim Shehu, Mimoza Ahmeti, Gentian Çoçoli, Ervin Hatibi, Agron Tufa, R. Meidani apo Fatos Kongoli.
Është bashkëautor i librave si: “Libri i bardhë” i përkthimit në Spanjë (1997), Përkthim letrar. Disa eksperienca (2001), Fjalor i shkrimtarëve të botës (2002), dhe autor i veprave: Tregime popullore shqiptare(1994) dhe Mirënjohja e të vdekurit dhe histori të tjera shqiptare (2004). Ka fituar Çmimin Kombëtar të Përkthimit 1993 për librin Koncerti të Ismail Kadaresë dhe në vitin 2005 Çmimin Pena e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.