E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sparks-Hyseni: Rezoluta serbe nuk do të miratohet

“Rezoluta e Serbisë nuk përkon me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ajo paraqet një kthim mbrapa dhe tenton të mbajë të hapur një çështje që ne e konsiderojmë të mbyllur, se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe se ajo ka integritet territorial të pacenueshëm” deklaroi Sparks.

Më tej ai shtoi se Serbisë i është kërkuar që ta tërheqë këtë rezolutë dhe të vijmë te një tekst, i cili do të ishte neutral dhe që do të hapte rrugën për atë që ne duam, për bisedime konstruktive mes Serbisë dhe Kosovës, si shtete fqinje të pavarura, për shumë çështje të cilat do të ishin në interes të përbashkët.

Ambasadori britanik i ka bërë këto komente pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hysenin, me të cilin nënshkruan një memorandum mirëkuptimi lidhur me statusin dhe aktivitetet e Këshillit Britanik në Kosovë.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i cilësoi kundër produktive përpjekjet për amandamentimit të projekt-rezolutës serbe.

“Unë mendoj se nuk është shëndetshme, se është e padobishme, bile-bile, konsideroj se është krejtësisht kundër-produktive çfarëdo përpjekjeje për të amandamentuar draft-rezolutën serbe, përkatësisht për rezolutë të përbashkët”, deklaroi Hyseni.

Ai tha se projekt-rezoluta serbe është destruktive “në çdo pikë dhe presje”, dhe nuk ke se cfarë të modifikosh ose të amandamentosh”.

Ambasadori Sparks dhe ministri Hyseni kanë shprehur bindjen se projekt-rezoluta serbe për Kosovën nuk do të miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›