E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mrekullia Paul

Oktapodi Paul ishte me të vërtetë mrekullia e vitit 2010. Ai ishte bërë yll i planetit gjatë Kampionatit Botëror, që u mbajt gjatë verës. Oktapodi më i famshëm në botë kishte bërë sensacion global, duke bërë parashikime të sakta të shtatë ndeshjeve të Gjermanisë, por edhe të finales, të cilën e fitoi Spanja. Në fund, ai ngordhi dhe e la të shkretë akuariumin ‘Sea Life’. Nga Express më 02 janar 2011 në ora 10:28

Bota e futbollit nuk do ta harrojë kurrë oktapodin Paul. Në fakt, ky i fundit bëri sensacion global me parashikimet e ndeshjeve në Kampionatin Botëror 2010, i cili u mbajt gjatë verës në Afrikën e Jugut.

Paul, i cili ishte lindur në janar të vitit 2008 në qytetin anglez, Weymouth, ka parashikuar saktë shtatë ndeshjet e Gjermanisë në Botërorin e fundit (fitoret ndaj Australisë, Ganës, Anglisë, Argjentinës e Uruguait dhe humbjet nga Serbia e Spanja), plus ishte i pagabueshëm në finalen ndërmjet Spanjës dhe Holandës, duke e zgjedhur “Furinë e Kuqe”, e cila fitoi 1:0.

Gjatë Botërorit të fundit, Paul i bënte parashikimet e tij duke e zgjedhur njërën nga dy kutitë që përmbanin ushqimin e tij të preferuar. Në pjesën e tyre të jashtme ishin vendosur flamujt e dy Kombëtareve përkatëse, që ishin të involvuara në atë ndeshje.

Koha kalonte dhe parashikimet e tij bëheshin të vërteta, duke bërë mrekulli dhe sensacion global, me ç’rast tërhoqi vëmendjen e njerëzve të pasur, që ofronin para të majme për ta blerë, pas këtij kompeticioni.

Pronarët e akuariumit Oberhausen Sea Life i refuzonin këto oferta, pasi insistonin ta mbanin yllin e tyre atraktiv. Por, ata kanë mbetur të shkretë në fund të tetorit, kur morën vesh për lajmin e zi: oktapodi më i famshëm në botë – Paul kishte ngordhur në akuariumin e tij në Oberhausen të Gjermanisë.

“Ne të gjithë e donim atë dhe, me të vërtetë të gjithëve do të na mungojë Paul”, kishte deklaruar Stefan Porwoll, menaxher gjeneral i akuariumit gjigant, Oberhausen Sea Life, qendër në të cilën Paul i kishte bërë parashikimet.

Pas Botërorit, pronarët e këtij akuariumi kishin bërë të ditur se Paul do të pensionohej dhe se nuk do të parashikonte më fituesit e takimeve, në ndeshje futbolli. Por, oktapodi i tyre ndërroi jetë vetëm disa muaj pas Botërorit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›