E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gardistët, marrëveshje e prishur Berisha-Ina Rama

Berisha e ka sulmuar jo pak këto ditë zonjën Rama, duke e akuzuar atë si pjesë e puçit ndaj shtetit. Pika më e “dobët” midis tyre ishte ajo e 6 gardistëve, për të cilët prokuroria lëshoi një urdhër-arresti pak orë pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit.

Mësohet se gjatë së mërkurës por edhe në ditët e tjera, me ndërmjetësimin e diplomatëve në Tiranë, janë zhvilluar negociata për të mos ekzekutuar urdhër-arrestet ndaj gjashtë gardistëve, por vetëm që ata të merreshin në pyetje nga pesë prokurorët e çështjes. Pas deklarimeve, gardistët do të liheshin të lirë.

Megjithatë, e gjitha përpjekja nuk shkoi mirë, pasi marrëveshja është prishur në minutën e fundit. Kryeministri Sali Berisha e ka një fajtor për këtë dhe ajo është kryeprokurorja Rama, ndërsa kjo e fundit e “veshur” me petkun e prokurores ka heshtur prej ditësh.

“Pas një angazhimi shumë të fortë, arritëm një marrëveshje, që secili nga oficerët e Gardës të paraqitej para prokurorit ku do të bëhej deklarata dhe të anulohej urdhër-arresti. Por kjo marrëveshje u prish nga urdhri që mori zonja Rama, duke faktuar se ajo nuk respekton asnjë normë dhe standardë”, ka deklaruar  Berisha. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-29 09:33
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›