E Shtunë, 31 Tetor 2026

Speciale/ Kush është Ratko Mlladiç

Së bashku me liderin politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, Mlladiç ishte simbol i fushatës së pastrimit etnik të kroatëve dhe veçanërisht të myslimanëve boshnjakë. Pas masakrave të kryera në Bosnjë, Mlladiç u kthe në një nga njerëzit më të kërkuar në botë, teksa gjendja e tij në arrati të vazhdueshme për plot 16-vjet, u kthye në një pengesë të madhe të Serbisë në marrëdhëniet me Perëndimin.

Ai është paditur nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte, gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit – përfshirë edhe masakrimin e të paktën 7 500 burrave dhe djemve myslimanë në qytetin e Srebrenicës në vitin 1995. Pasi jetoi për shumë vite i pashqetësuar në Beograd, gjeneral Mlladiç u zhduk në vitin 2001 menjëherë pas arrestimit të liderit serb Sllobodan Millosheviç.

Duke filluar nga tetori 2004, ish-ndihmësit e Mlladiçit filluan të dorëzoheshin një e nga një, ndërkohë që rritej presioni ndërkombëtar mbi Beogradin zyrtar për të bashkëpunuar. Mlladiç ishte egërsirë atë që shihte si fatin e kombit serb. Kështu ai drejtoi rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës, ku humbën jetën 12 000 persona.

Mlladiç ishte pioneri i teknikës së njohur si “spastrim etnik”. Qindra mijëra jo-Serbë u dëbuan nga shtëpitë e tyre gjatë fushatës brutale për të krijuar një hapësirë të populluar vetëm nga serbët në rajone të tëra në Kroaci e veçanërisht në Bosnjë. Kështu, Mlladiç komandoi ushtarët që vranë brenda pak ditësh në korrik të vitit 1995 mbi 7 500 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë (ka raporte të cilat flasin për mbi 8 000 persona të vrarë).

Ai ishte fanatik, por edhe trim -  kjo e bëri atë një hero në mesin e ushtarëve që drejtoi. Kjo po ashtu shpjegon edhe mënyrën së si i shpëtoi arrestimit për plot 16-vjet, shkruan BBC. Pas arrestimit të Karaxhiçit në korrik të vitit 2008, u rritën shumë spekulimet edhe për arrestimin e super të kërkuarit Ratko Mlladiç.

Komandant i Përgjithshëm

Ratko Mlladiç është lindur në Bosnje, në fshatin Kalinovik në vitin 1942. Ai ishte sjellë në Jugosllavinë e Titos duke arritur të bëhet një oficer i rregullt i ushtrisë popullore të Jugosllavisë. Teksa supershteti filloi të shpërbëhej në vitin 1991, ai u emërua në krye të korpusit të nëntë të ushtrisë Jugosllave kundër kroatëve në Kinin.

Më vonë, ai morri komandën e distriktit të dytë të ushtrisë Jugosllave, me bazë në Sarajevë. Në maj 1992, Asambleja e serbëve të Bosnjës votoi për krijimin e një ushtrie të serbëve të Bosnjës, duke emëruar gjeneral Mlladiçin komandant të përgjithshëm.

Mlladiç ishte një nga drejtuesit kryesorë të rrethimit të Sarajevës dhe në vitin 1995 udhëhoqi sulmin mbi enklavën e mbrojtur nga OKB-ja të Srebrenicës, mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës II Botërore.

Forcat serbe bombarduan Srebrenicën për plot pesë ditë me radhë para se gjenerali Mlladiç hyri në qytet i shoqëruar nga ekipet e kamerave serbe. Në vendngjarje mbërritën autobusë të cilët morën gratë dhe fëmijët, teksa ushtarët serbë ndanë të gjithë djemtë dhe burrat nga mosha 12 në 77 –vjeçare, gjoja për t’i marrë në pyetje për krime lufte.

Në pesë ditë, pasi forcat serbe të Bosnjës morën Srebrenicën, të paktën 7 500 myslimanë, djem dhe burra, ishin vrarë. Pas përfundimit të luftës së Bosnjës, Mlladiç u kthye në Beograd ku gëzoi mbështetjen e hapur të Millosheviçit.

Në arrati

Mlladiç jetoi pa u fshehur në qytet – duke vizituar vendet publike, duke ngrënë në restorante shumë të shtrenjta dhe madje duke marrë pjesë në ndeshje futbolli deri kur u arrestua Millosheviçi. Disa raporte bëjnë më dije se ai u fsheh në bunkerin e tij të kohës së luftës në Han Pijesak, jo shumë larg Sarajevës, ose në Mal të Zi.

Raporte të tjera thonë se ai ka qenë në ose afër Beogradit. Edhe ish kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte pretendoi se Karaxhiç dhe Mlladiç ishin në Beograd gjatë vitit 2004. Mlladiç raportohet se gjatë kësaj kohe ka vuajtur nga sëmundje të shumta. Në prill të vitit 2005, ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Drashkoviç, theksoi se agjentët serb të sigurisë e dinin vendndodhjen e Mlladiçit, ndërkohë që kreu i inteligjencës i përshkroi akuzuat si “qesharake”.

/Start/Fatjon Prroni/

                                                                                             2011-05-26 17:57
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›