E Shtunë, 31 Tetor 2026

Speciale/ Zhvillimet në Egjipt, ditë pas dite...

Një ditë më pas, më 18 janar vazhduan vetëvrasjet. Një i papunë në Aleksandri humbi jetën në spital pasi dogji veten. Ndërsa një avokat në Kajro deshi të digjej përpara kryeministrisë. Me 20 janar dy persona të tjerë u plagosën me të njëjtën metodë, duke u përpjekur të djegin veten. Më pas, lideri opozitar Muhamed el Baradei ndoqi sloganin “nëse e kanë bërë tunizianët, edhe egjiptianët duhet ta bëjnë”.

Dita e parë - 25 janar: Protestat individuale të 18 janarit u kthyen në demonstrata masive pas deklaratave të El Baradeit. Filluan protestat anti-qeveri, duke u mobilizuar me mijëra njerëz. Dy protestues humbën jetën gjatë përplasjeve me policinë në Suez, ndërsa një polic humbi jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga demonstruesit. U arrestuan 200 persona. Në të njëjtën natë forcat e sigurisë  përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në Kajro. SHBA-të u bënë thirrje qeverisë së Egjiptit të dëgjojë kërkesat e popullit.

Dita e dytë – 26 janar: Pavarësisht ndalimit të protestave, mijëra njerëz zhvilluan protesta në shumë qytete. Policia u përpoq të shpërndante protestuesit me gaz lotsjellës dhe gurë. Edhe protestuesit gjuajtën me gurë nga ku u plagosën 15 policë. Ndërsa në Kajro humbën jetën 2 persona. Disa protestues hodhën shishe me lëndë djegëse brenda një godinë zyrtare në Suez, ku u plagosën 55 protestues dhe 15 policë.

Dita e tretë – 27 janar: U arrestuan të paktën 1000 persona. Një njeri humbi jetën në veri të Sinait. U përdorën raketat antitank kundër policisë. Protestues në Suez dogjën një godinë të zjarrfikësve. Ndodhën përplasje në Ismailije. El Baradei deklaroi se Kajro po bëhet gati për ndryshimin. Nga Franca dhe SHBA-të u dhanë deklarata kundër dhunës. Në orët  e vona të natës qeveria mori “masa” kundër protestuesve.

Dita e katërt – 28 janar: Me mijëra demonstrues në të gjithë vendin u përleshën me forcat e policisë. Policia përdori gaz lotsjellës, plumba plastikë dhe ujë të presuar. Përkrah El Baradeit në protesta morën pjesë edhe vëllazëria myslimane. U dogj godina e prefekturës në Aleksandri dhe dy rajone policie bashkë me një godinë të partisë qeveritare. U këput lidhja me internetin. Gazetarët e huaj ranë viktimë të ndërhyrjes së ashpër të forcave të sigurisë. Mubarak kërkoi arritjen e sigurisë duke vënë në lëvizje policinë dhe ushtrinë  dhe shpalli ndalimin e protestave në Kajro, Aleksandri dhe Suez. Shumë shtete perëndimore shfaqën shqetësimin e tyre për situatën. Në të gjithë Egjiptin u vranë 20 persona dhe u plagosën me qindra të tjerë. Që nga 25 janari numri i të vdekurve ka arritur në 27. Mubarak mbajti një fjalim të shkurtër drejtuar popullit dhe duke nënvizuar ndryshimin e qeverisë, ai premtoi fillimin e reformave.

Dita e pestë – 29 janar: Në drejtoritë e policisë bëhet e ditur vdekja e 17 personave. Kryeministri i Anglisë shprehu shqetësimin e tij për situatën në një takim të zhvilluar me Mubarakun. U dogjën të gjitha punishtet në një fabrikë sheqeri. Mijëra persona nga sheshi Tahrir deshën të marshonin drejt parlamentit. Por, policia i ndaloi me gaz lotsjellës, plumba plastikë .

Dita e gjashtë – 30 janar: Dy grabitës që kishin hyrë në muzeun e Kajros dëmtuan dy mumje. Disa biznesmenë u kthyen në vendin e tyre. Policia kthehet sërish në rrugë për të ruajtur rendin. Liderët egjiptianë zhvilluan takime me Obamën, Erdoganin  dhe shumë liderë të tjerë, në të cilat u theksua mbështetja që do i jepet Egjiptit në këtë periudhë tranzicioni. U arratisën 3 mijë të burgosur. Në Stamboll u zhvilluan protesta para Ambasadës së Egjiptit.

Dita e shtatë – 31 janar: U krijua një tavolinë aplikimi në terminalinin e ardhjeve të linjave të jashtme të Aeroportit “Ataturk” nga ana e Ambasadës së SHBA-ve në Stamboll. Numri i protestuesve në sheshin Tahrir arriti në 100 mijë. Ushtarët arrestuan 50 persona që u përpoqën të grabisin muzeun  kombëtar. Opozita i dha kohë deri të premten Mubarakut për t’u larguar. Mubarak emëroi kryeministrin e ri Ahmet Shefik me detyrën e “sigurimit të sigurisë ekonomike  dhe në praktikimin e demokracisë në vendosjen e një dialogu me opozitën’” U liruan 6 gazetarë të arrestuar të “Al Xhaziras”.

Dita e tetë – 1 shkurt: U ndalua transporti rrugor nga zonat përreth për në drejtim të Kajros. Si përgjigje ndaj thirrjes së opozitës “po marshojnë 1 milionë”, e cila kërkonte dorëheqjen e Mubarakut, u mblodhën qindra mijëra njerëz në sheshin “Tahrir” të Kajros. “Nëse presidenti Husni Mubarak kërkon të shpëtojë kokën, ai duhet të japë menjëherë dorëheqjen”, u shpreh lideri opozitar Muhamed el Baradei.

Dita e nëntë – 2 shkurt: U zhvilluan përleshje mes mbështetësve të Mubarakut dhe kundërshtarëve të tij.  Pati të vdekur. U anuluan seancat parlamentare. U arrestuan dhe 4 gazetarë izraelitë që kishin ardhur të shihnin ecurinë e ngjarjeve. Ushtria egjiptianë kërkoi normalizimin e situatës duke theksuar se është transmetuar mesazhi i egjiptianëve dhe kërkesat e tyre. Protestues mbështetës të Mubarakut hynë në sheshin “Tahrir” me kuaj dhe deve. Kreu opozitar El Baradei i cilësoi lëvizjet e Mubarakut si “një lojë për të qëndruar në pushtet”.

Dita e dhjetë – 3 shkurt: U vranë dy protestues në sheshin “Tahrir”. U sulmuan gazetarët e huaj. Ushtria arrestoi të gjithë ato që u përfshinë në ngjarje. Një nga organizatat më të mëdha opozitare, “Vëllazëria Myslimane” kërkuan krijimin e një qeverie të bashkuar kombëtare. Më pas erdhi lajmi se mbështetës të Mubarakut janë drejtuar drejt sheshit “Tahrir” me thika. Ashpërsohet thirrja për paqe e BE-së. Përsëri filluan të dëgjoheshin zhurmat e krismave të armëve. Partia opozitare “Vehd” deklaroi se nuk dialogon me qeverinë. Gjithashtu, kompania “Vodafon” bëri të ditur se qeveria egjiptiane i ka detyruar t’u dërgojnë abonentëve të tyre mesazhe të shkurtra pro qeverisë. Ndërsa zv-Presidenti theksoi se të gjitha protestat e dhunshme janë shenjë e një komploti.

Dita e njëmbëdhjetë – 4 shkurt: Kryeministri Shefik i bëri thirrje popullit të zhvillojnë protesta paqësore dhe të shmangen nga dhuna. Zv-Presidenti pohoi se mbështetësit e Mubarakut nuk kanë vrarë protestuesit. Ndërsa “Vëllazëria Myslimane” deklaroi se nuk është e interesuar për pushtetin.

/Aisa Kokiçi - START/

                                                                                             2011-02-05 11:21
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›