E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialistët bashkohen në mbrojtje të polifonisë

Personalitete të njohura të kulturës, studiues, krijues të veprave polifonike dhe muzikologë, janë bashkuar në një shoqatë për të ruajtur dhe kultivuar autenticitetin e muzikës polifonike shqiptare. Prezantimi i shoqatës "Shtëpia e Polifonisë" është bërë dje në Tiranë në praninë e personaliteteve kulturore. Po dje, gjatë këtij aktiviteti, Presidenti i Nderit i kësaj shoqate, Lefter Çipa, i cilësuar edhe si "princi i polifonisë" ka promovuar librin "Engjëj të Polifonisë".

Një libër mirënjohjeje dhe në kujtim të krijuesve, të këngëtarëve dhe studiuesve që ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre për polifoninë, cilësuar me të drejtë nga UNESCO si pjesë e pasurisë botërore. Ideja për krijimin e shoqatës është shprehur kohë më parë nga Lefter Çipa, teksa i shkruante Kryeministrit dhe ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, se "ky visar i trashëguar po preket prej varfërisë së moskujdesit, po mjegullohet në dritësimin e tij prej makutërisë së artit të rrugës dhe të ahengut. Ju drejtohem ju në cilësinë e artistit që ka koshiencën se po troket në derën dhe dritaren e shtetit kombëtar. Për polifoninë polifone jam në merak se sipas meje ka "filluar të na shkelet bora e bardhë mbi male". Është një shkelje e pashpirt dhe ndotëse".

Atëkohë Çipa, autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit, fliste për krijimin e shtëpive të polifonisë, si grupime specialistësh që do të mbronin autenticitetin dhe vlerat e polifonisë shqiptare. "Ju diktoj dhe ju shfaq mendimin tim pa rezervë, falë bindjes profesionale dhe lidhjes sime shpirtërore me këtë fond autentik të kulturës së kombit tim, se është koha të ngremë diçka të veçantë, disa shtëpi kultivimi, kujdesi, ruajtjeje dhe shtimi të folklorit", shkruante Çipa.

Në mungesë të një vëmendjeje shtetërore, një grup specialistësh të polifonisë kanë ngritur shoqatën që synon të ketë funksionin që Çipa paralajmëronte në letrën e tij. Lefter Çipa është njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit. Autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike, si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet), grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. (Shqip)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›