E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialistët e DAR korrigjojnë MASH, 840 maturantë ngelës për Tiranën

Shifrat llogariten gabim në 15 shkolla të kryeqytetit, ministria deklaron vetëm 1197 maturantë mbetës në gjithë vendin

Nxënës të shkollave të mesme të kryeqytetit të cilët nuk mundën dot të ishin kalues për provimet e lirimit, janë më shumë sesa ka deklaruar Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Duke përllogaritur shifrën e maturantëve ngelës

për 14 shkollat e mesme në kryeqytet e cila sipas specialistëve të Drejtorisë Arsimore është me e madhe sesa ka deklaruar ministria rreth 840 maturantë nga statistikat e DAR, rezultojnë mbetës në provime. Ndërkohë vetëm një javë më parë MASH, nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka deklaruar se cila në analizë të rezultateve përfundimtare rezulton se 13.13% e maturantëve janë vlerësuar me notën 9 dhe 10, ndërsa numri i nxënësve që nuk u vlerësuan kalues është 1197 pra (3.21%). Ndërkohë këtë shifër e kundërshton një prej ish punonjësve të kësaj ministrie tashmë specialist në Drejtorinë Arsimore të kryeqytetit, Dilaver Skura i cili ka deklaruar ditën e djeshme për gazetën se shifra e deklaruar nga Ministria e Arsimit nuk është e saktë sepse sipas të dhënave në 14 shkolla të mesme të Tiranës, duke përfshirë edhe zonat periferike llogariten rreth 40-60 nxënës mbetës vetëm për 2010-tën për çdo shkollë të mesme. Sipas llogaritjeve nga kjo shifër del se vetëm 840 maturantë ngelës janë vetëm për Tiranën ndërkohë që MASH ka deklaruar se maturantët mbetës në gjithë vendin llogariten të jenë 1197 të tillë pra shumë më pak sesa ka deklaruar specialisti. Shifra e llogaritur në përqindje është vetëm (3.21 për qind e maturantëve, ndërkohë sipas specialistit Skura numri më i madh i maturantëve mbetës vihet re në shkollat e vendit ku edhe kërkesa e llogarisë apo mungesat lihen shpesh pas dore. Madje specialisti thekson edhe faktin se skema e bërë publike si një ndihmesë për maturantët, skemë e cila ka të bëjë me urdhrin se do të kalonin në provimet e maturës edhe nxënësit e shkollave të mesme të cilët kishin mbushur 40 për qindëshin e mungesave është një ide në dëm të vetë maturantëve e të rregullores në shkolla. Por kjo skemë sipas specialistit është ideuar edhe për të fshehur në një farë mënyrë numrin e vërtetë të maturantëve apo nxënësve që braktisin shkollën.


Statistika
Nëse në vitin 2008 në testimin ku morën pjesë 31959 nxënës u morën 535 nota 10, në 2009-n në 35 mijë nxënës të testuar, këtë notë e morën vetëm 470 nxënës. Çudia që dallon rezultatet e matematikës nga ato të letërsisë për vitin e kaluar ishte se në provimin e dytë me detyrim, nxënësit kanë marrë më shumë 10-a se në provimin e parë. Në testimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe u morën vetëm 200 nota 10, ndërsa në matematikë, me po të njëjtin numër nxënësish dhe me më shumë mbetës, janë marrë dyfishi i notave 10 të provimit të parë.


Provimet
Deri më tani janë dhënë dy provimet e para për të gjithë maturantët në të gjithë vendin. Rregullorja e provimeve e cila u publikua nga MASH, kohë më parë sqaroi të gjithë maturantët për datat e të gjitha rregullat që do ndiqnin gjatë provimeve të Matematikës dhe të Letërsisë. Matematika u dha më datë 15 Qershor, ndërkohë që lëna e Letërsisë është dhënë më datë 1 Qershor. Ndërkohë që ka mbetur pa dhënë edhe provimi me zgjedhje i cili do të startojë për të gjithë maturantët  më datë 30 Qershor. Nëse maturanti nuk arrin të marrë notë kaluese në provimin e matematikës ose atë të letërsisë, do të lejohet që të marrë pjesë në dy provimet me zgjedhje (që do të zhvillohen më 30 qershor), të përcaktuara prej tij në formularin A1. Ndërkohë formulari A2 do të plotësohet nga 35.700 maturantë në mes të muajit Korrik Kjo për shkak se nëpërmjet tij, të rinjtë do të kenë mundësi të rendisin degët në të cilat dëshirojnë të studiojnë sipas parimit meritë-preferencë. Formulari A2 do të jetë i njëjtë edhe për këtë vit. Risia që ka parashikuar Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ndryshe nga përvojat e kaluara është se kandidatët do ta kenë më të lehtë për të zgjedhur, por edhe më shumë shanse për të fituar. Pas kësaj, do të fillojë procesi i plotësimit të Formularit A2. Ai do të plotësohet vetëm pasi nxënësi të marrë rezultatet e provimeve me zgjedhje.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›