Rozana Radi, vjen si Ofelia në Pasion intrige
Kryeveprat e Shekspirit do të vijnë në skenën teatrore, në një natë të vetme. Dashuri, xhelozi dhe urrejtje zbresin së bashku në shfaqjen teatrore Pasion intrige, e cila vjen nesër në skenën e Akademisë së Arteve nga
regjisorja Orjana Cama. Për të përcjellë mesazhet që vijnë nga veprat e Shekspirit, regjisorja ngjit në skenë emra të njohur aktorësh që megjithëse të rinj janë prezantuar denjësisht para publikut. Aktorët si Rozana Radi, Cubi Metka, Florian Agalliu, Besmir Bitraku, Kliti Roshi, Adriana Tolka, Devis Muka, Ermira Hysaj do të përcjellin pasionin dhe intrigën. Muzika vjen si realizim nga Gent Rushi, ndërsa koreografia një realizim nga Aledia Kondaj. Rozana Radi në këtë shfaqje në skenën e arteve vjen si Ofelia, një rikthim ky si aktore në teatër. Regjisorja Cama pohon se e ka zgjedhur këtë autor, pasi vepra e tij vjen me një mesazh universal. Shekspiri është një autor i madh dhe e kam zgjedhur pikërisht sepse ai është një autor universal dhe veprat e tij të japin dorë për të sjellë forma të reja. Në këtë vepër janë 9 aktorë që do të interpretojnë dhe janë 4 çifte në skenë para publikut. Gjithçka fillon me ballon Romeo e Zhuljeta dhe mbaron po me të, pohon regjisorja Cama. E ndërkohë që në aktivitetin e saj si regjisore ajo ka sjellë edhe të tjera vepra që janë mirëpritur nga publiku në skenën teatrore. Para disa kohësh ajo solli para publikut një tjetër vepër gjithashtu me një mesazh universal. Keqkuptimi nga Albert Kamy ishte një tjetër realizim teatror i regjisores Cama. Në tragjeditë e tij Shekspiri krijoi një galeri të pasur me karaktere e personazhe, komplekse, të gjalla, vepruese dhe bindëse për të gjitha shtresat e shoqërisë. Autori hyn thellë nën botën e tyre të brendshme duke bërë analiza psikologjike të jashtëzakonshme të veprimeve e të sjelljeve të tyre. Të gjitha këto ai i jep me një larmi të madhe mjetesh kompozicionale dhe stilistike, me një gjuhë jashtëzakonisht të pasur, plot me proverba e shprehje popullore, pohon regjisorja, ku një nga kryevepra e tij në tragjedi është dhe Romeo dhe Zhuljeta. Shekspiri është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Rilindjes evropiane dhe një nga viganët mendimtarë më të fuqishëm që lindi kjo epokë. Shekspiri është nga dramaturgët më të mëdhenj të letërsisë botërore të të gjitha kohërave. Krijimtaria e Shekspirit karakterizohet nga madhështia e dimensioneve të saj, me gamën e mendimeve dhe gjerësinë e pazakonshme të mesazheve. Dramat e tij dallohen për shumëllojshmërinë e tipeve, situatave, personazheve, epokave, popujve, mjediseve shoqërore, cilëson më tej regjisorja Cama. Kjo begati e imagjinatës, tempi i shpejtë i veprimit, forca e pasioneve të paraqitura dhe tensioni i personazheve të caktuara, janë tipike për epokën e Rilindjes. Mirëpo te Shekspiri këto i janë nënshtruar një ligjshmërie të përkryer të harmonisë së brendshme. Burimet e frymëzimeve të Shekspirit janë të ndryshme, mirëpo gjithçka që ka huazuar, ai e ka përpunuar në një mënyrë të vetën, origjinale. Si burime mund të përmendim artin antik grek e romak, Rilindjen italiane dhe traditën popullore të dramaturgjisë angleze. Shekspiri është origjinal edhe për sa i përket përdorimit të gjuhës. Begatia e jashtëzakonshme e gjuhës së përdorur nuk qëndron vetëm në numrin tejet të madh të fjalëve dhe të shprehjeve, por edhe në llojshmërinë e nuancave shprehëse. Në veprat e tij gjejmë një shumësi shprehjesh, proverbash dhe fragmentesh të këngëve popullore. Të gjitha veprat e Shekspirit kanë karakter demokratik e humanist. Me një realizëm të mprehtë kritika to trajtojnë ide përparimtare të Rilindjes. Prandaj Shekspiri ushtroi një ndikim kolosal në letërsinë evropiane,
Nga Julia Vrapi