Kompanitë e sigurime nuk paguajnë dëmet për TPL në masën 83. 62 për qind
Burime zyrtare nga Agjencia e Mbikqyrjes Financiare bëjnë të ditur gjatë periudhës janar - maj 2010 pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 692 milionë lekë, apo 83.62 për qind të totalit të dëmeve të paguara bruto. Nga ana tjetër të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar-maj 2010 arritën rreth 3,311 milionë lekë, ose 0.72 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të njëjtave burime mësohet se gjatë periudhës janar-maj 2010 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 246,169 duke shënuar një ulje prej rreth 17.62 për qind, krahasuar me janar-maj 2009. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e jo-jetës që sollën rreth 90.31 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9.09 për qind dhe aktivitetin e risigurimeve me rreth 0.59 për qind. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 51 për qind dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 49 për qind të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare. Sipas burimeve nga Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare bën të ditur se primet në sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 1,634 milionë lekë, ose rreth 9 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produkti Sigurim Kufitar gjatë periudhës janar - maj 2010 pati një rritje prej 15.04 për qind për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 15.99 për qind krahasuar me janar-maj 2009. Produkti TPL e brendshme gjatë periudhës janar-maj 2010 pati një rritje prej 1.39 për qind për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një rritje prej 3.67% krahasuar me janar - maj 2009. Ndërsa produkti Karton Jeshil pati një ulje me rreth 34.76 për qind për primet e shkruara bruto, krahasuar me janar - maj 2009 dhe numri i kontratave pati një ulje prej 15.21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Sipas të njëjtave burime mësohet se në harkun kohor të pak viteve, tregu i sigurimeve gjendet me një strukturë të përmirësuar në favor të sigurimeve vullnetare, që në janar-maj 2010 sollën 51 për qind të primeve të sigurimit. Primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 1,678 milionë lekë, ose 11.69 për qind më shumë se në janar-maj të vitit 2009, por me rreth 33.66 për qind ulje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sigurimet vullnetare të jo-jetës gjatë periudhës janar-maj 2010 patën rritje me rreth 12.52 për qind kundrejt periudhës janar - maj 2009. Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 938 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 47.43 për qind të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 35.13 për qind . Në janar-maj të vitit 2010, sigurimet e përgjegjësisë kanë pasur një rritje me rreth 37.0 për qind krahasuar me periudhën janar - maj 2009. Në portofolin Zjarri dhe rreziqet shtesë' gjatë periudhës janar - maj 2010 ndihet një rritje prej 5.98 për qind e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 23.30 për qind të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me periudhën janar - maj 2009. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën janar-maj 2010 arritën në rreth 174 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 0.24 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 73 për qind të të ardhurave të këtij grupi. Primet nga sigurimet e jetës në janar-maj 2010 arritën 301 milionë lekë, ose rreth 5.80 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.