Specialistët e Xhenios nisin aksionin për zhbllokimin e aksit rrugor në Poliçan, ndërsa vijon kërkimi për personin e humbur në Skrapar
Forcat e Armatosura dhe specialistët e Xhenios në operacion për zhbllokimin e rrugëve dhe kërkimin e personit të humbur në Skrapar.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se që prej orës 11:30 të ditës së sotme, specialistët e Xhenios kanë nisur një operacion të posaçëm për zhbllokimin e aksit rrugor Uji i Zi – Tozhar, në territorin e Bashkisë Poliçan.
Ky aksion është ndërmarrë për të rikthyer qarkullimin normal të automjeteve dhe për të lehtësuar lëvizjen e banorëve, pas pengesave të krijuara në rrugë.
Në të njëjtën kohë, vijon angazhimi i Forcave të Armatosura në një tjetër operacion të rëndësishëm, për kërkimin e trupit të një personi të humbur pranë kanioneve të Skraparit.
Terreni i vështirë dhe kushtet e motit e bëjnë operacionin kompleks, duke kërkuar përdorimin e kapaciteteve të shumta njerëzore dhe teknike.
Në këtë operacion janë angazhuar Regjimenti i Poshnjes, me 12 efektivë, 2 mjete dhe 2 varka, të cilët po kryejnë kërkime përgjatë shtratit të lumit dhe zonave të thella, si dhe Regjimenti i Operacioneve Speciale (ROS), Tiranë, me 12 efektivë të pajisur me dron për kërkim dhe vëzhgim ajror, duke mundësuar monitorim të zgjeruar të terrenit nga lart.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat e Armatosura po veprojnë në koordinim të plotë.
/rtsh.al/