Spektatorja

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk e ka thënë asnjë fjalë në ceremoninë e organizuar me rastin e promovimit të abetares mbarëshqiptare.
Ajo të enjten në Prizren vetëm i ka dëgjuar fjalimet e Sali Berishës e Hashim Thaçit, si dhe të dy ministrave të arsimit, Ramë Buja e Myqerem Tafaj.
Por, nuk është ftuar ta thotë ndonjë fjalë në foltore.
Secili prej zyrtarëve të Prishtinës dhe Tiranës, kur e kanë nisur fjalimin, i janë drejtuar Jahjagës me nderimet më të larta.
“E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, Zonja Jahjaga”, kanë thënë dy Kryeministrat dhe dy Ministrat e Kosovës dhe Shqipërisë.
Pavarësisht kësaj, Presidentja ka marrë pjesë në “kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve” në Prizren, duke u duartrokitur fjalimeve të udhëheqësve të dy vendeve.
Megjithëkëtë, Zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu, ka thënë shkurt se çështja e fjalimit të Shefes së Shtetit në ceremoninë e Prizrenit nuk ka qenë e paraparë në protokollin e dy qeverive.
“Kjo çështje e protokollit dhe kjo ceremoni ka qenë e organizuar nga qeveritë e të dyja vendeve”, ka thënë Vllahiu pa dashur të japë sqarime tjera.
Pavarësisht se nuk ka thënë asnjë fjalë, Jahjaga bashkë me Berishën e Thaçin e ka hequr mbulesën e abetares së madhe të prezantuar në një sallë të sporteve, ku kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të tjerë të dy shteteve.
Ndryshe, Express ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Arsimit e Kosovës e udhëhequr nga Ramë Buja dhe nga këshilltarët e tij.
Por, asnjëri prej tyre nuk janë lajmëruar në telefon.
Duke folur për abetaren e re, zyrtarët qeveritarë të të dyja vendeve kanë thënë se abetarja do të ndikojë edhe më shumë në unifikimin e kombit shqiptar.
Me këtë rast, Kryeministri Berisha u dërgoi porosi të gjitha nënave shqiptare që pas qumështit të gjirit, fëmijëve të tyre t`ua mësojnë abetaren.
Derisa kryeministri tjetër, Thaçi tha se abetarja e re është edhe një hap më tutje drejt evropianizimit të shqiptarëve.
Ndryshe, përpos mungesë së fjalimi të Jahjagës, në ceremoni nuk është parë homologu i saj i Shqipërisë, Bamir Topi.
Në promovimin e abetares kanë munguar edhe zyrtarët e opozitës së Kosovës dhe Shqipërisë.
Por, partia opozitare Lëvizja për Bashkim e Kosovës ka përshëndetur unifikimin e abetares së përbashkët për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.