E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Kaçanik më 17 qershor

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Kaçanikut do të mbahen më 17 qershor 2012. Vendimin për zgjedhje të jashtëzakonshme e ka marrë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Vendimi u mor duke u bazuar në nenin 56, paragrafi 3 pika (c) të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, dhe në nenin 4 paragrafi 4 dhe nenin 11 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, si dhe në marrëveshje me partitë politike dhe Komisionin Qendror Zgjedhor”, thuhet në një njoftim të Presidencës.

Presidentja Jahjaga udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Kaçanikut, në përputhje me këtë vendim dhe ligjin në fuqi.

Vendimi për zgjedhje të jashtëzakonshme në këtë komunë vjen pas dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm Xhabir Zharku. Dorëheqja e Zharkut ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës për fuqizimin e aktgjykimit të shkallës së parë me të cilin ai është dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale të detyrimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›