Spineli: Nuk e dija se Bogdani do të zhgënjente
Pas rënies nga kategoria të Livornos, presidenti i kësaj skuadre, Aldo Spineli, duket se ka gjetur justifikimin, duke ia hedhur fajin Erjon Bogdanit për sezonin e dobët që ka zhvilluar. Duke folur për bilancin e sezonit, Spineli nuk ka kursyer kritikat ndaj sulmuesit shqiptar, për të cilin i kishte paguar 400 mijë euro Kievos dhe 400 mijë si rrogë lojtarit. "Si mund ta imagjinoja se Bogdani do të zhvillonte një kampionat të tillë? Ditën pasi e mora atë, të gjithë më thanë se me Bogdanin dhe Tavanon kisha krijuar një dyshe sulmi të jashtëzakonshme. Fatkeqësisht, gjërat shkuan keq", u shpreh presidenti i Livornos, i cili e ka nxjerrë prej javësh në shitje këtë skuadër. Për sa i përket Bogdanit, ai do të largohet shumë shpejt drejt Kievos, e cila zotëron kartonin e tij dhe mendohet se do ta mbajë sulmuesin për sezonin e rikthimit në Serinë A.