E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, alarm për derbin: "Selman Stërmasi", i pasigurt

Edhe pse sot Kategoria Superiore do të zbresë në fushë për të zhvilluar ndeshjet e javës së 32-të, e gjithë vëmendja është përqendruar në takimin e fundjavës, derbin Dinamo-Partizani. Në pritje të 90 minutave që do të përcaktojnë fituesen e titullit, problemi që duhet zgjidhur është impianti ku do të luhet. Blutë i zhvillojnë ndeshjet në shtëpi në "Selman Stërmasi", por ky stadium nuk është cilësuar si i përshtatshëm për një sfidë me këto përmasa. E fundit që ka shprehur rezerva është Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, e cila beson se stadiumi i përcaktuar është jashtë standardeve. "Drejtoria e Qarkut Tiranë, bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore të ligjit për Policinë e Shtetit dhe të ligjit për sportin, kërkon rivlerësimin e vendimit që takimi Dinamo-Partizani të zhvillohet në stadiumin ‘Selman Stërmasi‘", citohej në një deklaratë për shtyp të forcave të rendit. "Në këtë ndeshje pritet të ketë një fluks të madh tifozësh nga të dyja skuadrat, madje edhe organizime nga rrethet. Stadiumi i caktuar është jashtë standardeve, ka tribunat C dhe E me probleme serioze për rendin dhe sigurinë publike, rrethimet janë të amortizuara e të dobëta, si dhe sendet e forta mund të gjenden me lehtësi edhe në tribunën kryesore. Me qëllim që të garantohet zhvillimi normal i këtij aktiviteti të rëndësishëm sportiv, kërkojmë rivlerësimin tuaj lidhur me stadiumin dhe zhvillimin normal të ndeshjes Dinamo-Partizani".

Në pritje të zgjidhjes së çështjes së fushës për derbin e së shtunës, ku "Qemal Stafa" përbën alternativën ideale, sot skuadrat do të zbresin në fushën e lojës për javën e parafundit të kampionatit. Dinamon e pret një transfertë e lehtë në Shkodër: jo për emrin e kundërshtarit, por për faktin se me fitimin e Kupës, tekniku Haxhiosmanoviç e ka dërguar skuadrën me "pushime të parakohshme". Në fushë për kuqeblutë do jenë lojtarët e rinj. Ndeshje e lehtë edhe për Partizanin që pret në shtëpi Skënderbeun. Në garën për "biletën" e fundit evropiane, Besa luan me Besëlidhjen, ndërsa Elbasani pret Kastriotin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›